Shqipëria

Kushtetuesja pranon padinë për Butrintin


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka bërë me dije këtë të martë se Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e ngritur për Butrintin.

Sipas Zhupës, kjo gjykata fton palët të çojnë argumenta dhe prova brenda datës 27 janar 2023, ku më pas do të zhvillohet seancë publike.

“Butrinti do fitojë”, shkruan ndër të tjera deputetja.

Dy muaj më parë ishte vetë Zhupa që depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi që shfuqizon vendimin e koncesionit të Butrintit.

Ajo tha se ishtë firmosur nga 36 deputetë, mes tyre edhe nga Partia e Lirisë.

Zhupa theksoi se kjo “padi lidhet me vjedhjen e pasurisë së përbashkët publike dhe se padia është ngritur nga 4 avokatë”.

Kujtojmë se ka pasur debate mes saj dhe ministres së ministres së Kulturës, Elva Margariti lidhur me ligjin e miratuar disa muaj për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga një fondacion.

Si nisi projekti?

Prezantimi i draftit të Planit të Integruar të Menaxhimit të Butrintit do të prodhonte “përplasje” në distancë edhe në tetor të vitit 2019.

Më 15 tetor, drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, AADF, Michael Granoff i dorëzonte ministres Margariti draftin e planit.

Projekti i planit të menaxhimit do të hartohej nga firma prestigjioze britanike “Prince & Pierce” me një financim prej 250 mijë dollarësh nga AADF-ja.

Gjatë takimit, Granoff deklaroi se ky projekt ka qenë një ndër më afatgjatët ku ishte përfshirë fondacioni.

Ndërsa, zyrtarja shqiptare e konsideroi planin e menaxhimit – asokohe – si produkt të një bashkëpunimi 10-vjeçar me AADF-në.

Sipas saj, ai synonte të projektonte menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit gjatë dekadës që vinte.

“Ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë specifikon krijimin e fondacioneve të posaçme, ku Ministria e Kulturës është pjesë e fondacionit dhe është drejtuese e fondacionit”, shpjegonte që në atë periudhë Margariti.

Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë u miratua në vitin 2018.

Ai parashikonte administrimin e pasurive kulturore në mënyrë direkte nga institucionet shtetërore, ose në formë indirekte nëpërmjet fondacioneve të posaçme.

Katër muaj më parë, qeveria shqiptare miratoi një vendim pikërisht për mirërregullimin e ligjit për Fondin Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore.

Historiku i Butrintit

Tregimet moderne për qytetin e Butrintit u shfaqën për herë të parë në fillim të shekullit të 19-të: ndërmjet viteve 1789 dhe 1808.

Ali Pasha mundi t’i hiqte shumë territore kontrollit venecian, duke ndërtuar kështjellën e tij në grykën e Kanalit të Vivarit.

Si Franca, ashtu edhe Anglia, vendosën të nënshkruanin marrëveshje me të duke dërguar konsullin francez F. C. H. L. Pouqueville dhe kolonelin anglez W. M. Leake, të cilët botuan ditarët e tyre në vitet 1824 dhe 1835 duke përmendur për herë të parë, pas shumë vitesh, qytetin e Butrintit.

Megjithatë, vetëm në fund të viteve 1920, Luigi Maria Ugolini, kreu i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, i cili filloi në vitin 1925 i mbështetur nga Musolini, e rizbuloi zyrtarisht qytetin nga viti 1928 deri në 1935.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Butrint filluan kërkimet e reja nën drejtimin e Hasan Cekës, babait të arkeologjisë shqiptare, me bashkëpunimin e Dhimosten Budinës, Kosta Lakos, Dhimiter Çondit, Selim Islamit dhe Skender Anamalit dhe nga viti 1982 deri në vitin 1986, Astrid. Nanaj.

Butrinti u shpall pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.

Nga viti 1993 deri në vitin 2012, Richard Hodges, me mbështetjen e Fondacionit Butrint, drejtoi një fushatë të re të rëndësishme në qytet, duke u fokusuar veçanërisht në historinë bizantine dhe mesjetare të zonës.

Opozita çon në Kushtetuese koncesionin e Butrintit

Zhupa “përplaset” për menaxhimin e Butrintit me ministren – Margariti: Do të vijojë të jetë pronë e shtetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore