Shqipëria

Kushtetuesja i mbyll derën kompensimit të profesioneve të lira


Një kërkesë e Qeverisë shqiptare për vendimin e taksimeve të profesioneve të lira me 15% nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese, por duket se ato subjekte, të cilat e kanë paguar këstin e parë të taksimit, nuk do të kompensohen dhe nuk do ta marrin mbrapsht atë.

Siç theksohet në vetë vendimin e Kushtetueses vendimi në fjalë ka hyrë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare.

Pra, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të ketë kompensim për 6 mijë e 541 subjekte të profesioneve të lira, të cilët kanë parapaguar rreth 5 milionë euro tatim mbi të ardhurat.

Nga radhët e Partisë Demokratike, ka qenë deputetja Jorida Tabaku, e cila ka lobuar prej kohësh në këtë çështje kundër ligjit të Qeverisë, ajo e cila ka kërkuar nga mazhoranca fshirjen e detyrimeve tatimore dhe kamatvonesave që janë krijuar nga zbatimi disamujor i ligjit.

Megjithatë, vetë mazhorancës, në bazë të vendimit të Kushtetueses, i lind e drejta për të mos bërë kompensimin e profesioneve të lira, të cilat e kanë parapaguar këstin e parë të tatimit.

Më 31 korrik Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e plotë të marrë në seancën e 27 qershorit, kur u rrëzua tatimi për profesionet e lira.

Kushtetuesja zbardh vendimin: Norma tatimore vetëm për profesionet e lira cenon parimin e proporcionalitetit

Ishte drejtuesja e Gjykatës, Holta Zaçaj, e cila bëri me dije se ka pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës. Kjo duke rrëzuar kështu tatimin me 15% për profesionet e lira.

“Cënohet liria e veprimtarisë ekonomike dhe parimi i propocionalitetit”, tha Zaçaj duke theksuar se masa 15% fitoi të zbatohej menjëherë pa ju lënë kohë të përshtateshin.

“Nuk është masa e përshtatshme dhe nuk e kalon masën e proporcionalitetit”.

Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës  dhe shfuqizimin e nenit 69 pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/ 2023,  rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit.

Vendimi i plotë

Në zbardhjen e saj, Gjykata argumenton se hyrja në fuqi e detyrimit tatimor 15 dhe 23% për profesionet e lira, teksa për bizneset e tjera norma e re tatimore nis zbatimin nga 2030 cenon parimin e proporcionalitetit.

Për më tepër, nomenklatura e veprimtarive ekonomike konkrete që u nënshtroheshin efekteve të ligjit u miratua vetëm 10 ditë përpara se skema e re tatimore të fillonte zbatimin.

“Gjykata çmon se përmbajtja e nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, të Ligjit të Tatimeve, e gërshetuar me masën e normës së re tatimore prej 15%, mungesën e një periudhe të përshtatshme njoftimi për subjektet mbi të cilat rëndon norma e re tatimore, pa ndonjë lloj forme përshkallëzimi dhe pa u dhënë mundësinë e duhur subjekteve të përshtateshin me masën e re të normës tatimore cenon parimin e proporcionalitetit në drejtim të domosdoshmërisë/ashpërsisë së mjetit të përzgjedhur nga ligjvënësi”.

Në këtë pikë Gjykata vë në dukje se zbatimi i ligjeve tatimore duhet të shoqërohet me masa të përshtatshme kalimtare, ndaj dhënia kohë tatimpaguesve u jep atyre mundësinë jo vetëm të njihen me formulat e llogaritjes së zbatimit të tatimit ndaj tyre, por edhe të marrin masa që vetë subjektet tatimpaguese i vlerësojnë të nevojshme për të përballuar pasojat e skemës së zbatueshme.

“Thënë kjo, edhe parimi i sigurisë juridike në vështrim të pritshmërive të ligjshme për shkak të kohës së kufizuar rezulton i cenuar”.

Në këtë situatë, Gjykata, duke mos vënë në dyshim hapësirën e gjerë dhe diskrecionin e ligjvënësit për të përcaktuar masën e normës tatimore për se (rasti konkret shifra 15%) dhe as faktin se përjashtimi nga detyrimet tatimore nuk përbën të drejtë të subjektit tatimpagues, vlerëson se nga analiza e ndërthurur e rrethanave në të cilat norma e re tatimore është miratuar dhe zbatuar, ajo nuk është proporcionale në drejtim të domosdoshmërisë, ndaj pretendimi i kërkuesve është i bazuar.

Në vlerësimin e Gjykatës, nëse një normë ligjore shfuqizohet, edhe akti nënligjor që ka dalë në bazë dhe për zbatim të tij duhet të shfuqizohet.

Në vështrim të sa më sipër, Gjykata çmon se është i panevojshëm shqyrtimi më vete i pretendimeve të tjera të kërkuesve që lidhen me cenimin e parimeve të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe të rezervës ligjore në fushën e tatimeve dhe hierarkisë së normave, si argumente mbështetëse të kërkimit për kontrollin e kushtetutshmërisë së dispozitave objekt gjykimi (shih paragrafin 29 të vendimit).

Në përfundim, Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesve janë pjesërisht të bazuara, sipas arsyetimit të mësipërm të këtij vendimi, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore