Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për ligjin e pagës minimale

SHFLETO

Gjykata Kushtetuese.

 

Altina Marmullaku
26.06.2024 11:41
Loading Icons...

Gjykata Kushtetuese, i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për Ligjin për paga minimale, që ishte dërguar nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim.

Nga Kushtetuesja kanë vlerësuar se ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.

“Gjykata ka vendos njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat do të ketë rritje të pagës sipas këtij ligji.

Rritje do të kenë edhe ata që kanë pasur e vazhdojnë të kenë pagë mbi 250 euro neto.

Më 18 korrik të 2023-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL- UÇK), kishte thënë se ligjin për pagën minimale do ta analizojnë me kujdes të shtuar.

Me 60 vota për e një abstenim, në muajin korrik Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligji për pagën minimale.

Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro, megjithatë nga ky ligj nuk do të mund të përfitojnë veteranët e UÇK-së.

Prandaj, të njëjtit kishin protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke thënë se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.