Lajme

Kushtetuesja akoma s’ka përgjigje për draft-amendamentet për Vettingun


Komisioni Ad-Hoc.

Kryetari i Komisionit ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar ose vettingut, Kujtim Shala, ka kërkuar që Komisioni të ketë një afat shtesë për draftamendamentet për vettingun.

Sipas tij, brenda një afati prej gjashtë muajsh sa ka mandat Komisioni, nuk do të mund të realizojnë atë që kanë planifikuar.

Në këtë mbledhje ai kishte thënë se Kushtetuesja akoma nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me draftamendamentet për vettingun.

“Është e pamundur brenda gjashtë muajve të realizojmë atë që kemi planifikuar. Ne sot duhet të diskutojmë edhe sa kohë na duhet. Ne te kërkojmë edhe gjashtë muaj të tjera mandat. Gjykata Kushtetuese nuk ka ende përgjigje”, ka thënë Shala.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka deklaruar se puna e këtij Komisioni varet nga shqyrtimi paraprak nga Gjykata Kushtetuese.

“Amendamentet janë në Gjykatë Kushtetuese. Sot i kemi dy opsione, që të kërkojmë edhe një afat prej gjashtë muajve. Opsioni i dytë që të kërkojmë zgjatjen e punës së komisionit pa caktuar afat”.

Ndryshe, procesi i Vettingut në Kosovë do të përfshijë të gjithë gjyqtarët me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi i Vettingut synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore