Lajme

Kush votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës?


Ilustrim

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane. Në favor të Kosovës ishin plot 131 parlamentarë evropianë, kundër 29 dhe 11 abstenuan.

Nga 29 vota kundër anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tetë ishin deputetë nga Spanja. Gjithashtu, shtatë vota kundër erdhën nga Serbia dhe katër nga Hungaria – kundër Kosovës votuan dy deputetë nga Franca, Qiproja dhe Bosnje-Hercegovina.

Pozitiv mbetet fakti se vetëm një prej pesë përfaqësuesve të Greqisë votoi kundër Kosovës. Nga një votë kundër e patën edhe deputetët e Gjermanisë, Italisë e Malit të Zi. Ndërkaq, prej 11 abstenimeve, gjashtë erdhën nga italianët, tri nga moldavët e nga një nga gjermanët e malazezët.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në panteonin e kombeve evropiane, ndërsa lëvizjet reale politike pritet të nisin në prag të takimit të ministrave të jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – në mes të muajit maj.

Shtetet e QUINT-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshirojnë të shohin lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se vendet të bien dakord për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. Por konsiderohet se Kosova ka ende çështje për të adresuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore