Lajme

Kush mund të jetë “Ministri i duhur” i Shëndetësisë?


Foto nga Albanian Post

6 tetori ishte dita kur ministria e Shëndetësisë mbeti pa udhëheqës, prapë.

Për zgjidhjen e problemeve në këtë sektor vështirë se mund të ketë një person adekuat, i cili mund të konsiderohet si i duhur për të zgjidhur të paktën një numër prej problemeve kryesore që mbizotërojnë tash e sa vite në këtë fushë.

Edhe njohësit që merren me fushën e shëndetësisë e që përcjellin këtë sektor tash e sa vite nuk mund të theksojnë një emër, i cili do të ishte i duhur për këtë pozitë.

Njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitija, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kërkon që emërimi i ministrit të ardhshëm të mos jetë një eksperiment i radhës nga qeveria.

Pasi kjo do ta dërgonte situatën në Kosovë vetëm drejt përkeqësimit.

“Unë nuk e di se kush mund të jetë ministri i ardhshëm, por konsideroj se Kurti nuk duhet të eksperimentojë ose të provojë më ministra të Shëndetësisë. Duhet të vijë dikush që e njeh mirë këtë sektor dhe i njeh mirë problemet. Ndryshe do të jetë një dështim i radhës”.

Ministria e Shëndetësisë.

Të vështirë përzgjedhjen e një emri për këtë rol e ka edhe Blerim Syla, i cili përveç që ushtron rolin e mjekut në Kosovë, tash e sa vite i përcjell edhe problematikat që e ndjekin këtë sektor.

“Së pari nuk kam emër specifik por ministri i ardhshëm duhet të ketë përkrahje nga kryeministri dhe i gjithë zingjiri në shëndetësi e jo të bojkotohet. Së dyti duhet të jetë vendimmarrës, e jo diktuar nga politikat ditore. Po ashtu duhet të jetë njohës i shëndetësisë kosovare dhe jo të bëjë kopjime nga jashtë”.

Por, cilat janë problematikat që kërkojnë zgjidhje nga ministri i ardhshëm?

Ndërrimi i ministrave në shëndetësinë e Kosovës, ka qenë diçka që e ka përcjellur vazhdimisht vendin.

Shëndetësia edhe mund të ketë pasur zgjidhje në disa çështje.

Por, janë disa të cilat qëndrojnë pezull tash e më shumë se një dekadë.

“Sfidat me të cilat do të ballafaqohet ministri i ardhshëm është reformimi i sistemit dhe në të njëjtën kohë përballja me ikjen e mjekëve. Dhe problemet tjera të vjetra të cilat vazhdojnë të mbesin po aty, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesë e barnave dhe materialeve, dhe infrastruktura e dobët në shumë klinika e spitale”, thotë Vitija për Albanian Post.

Problemi mund të qëndroj edhe tek buxheti për shëndetësi, i cili konsiderohet si jo i mjaftueshëm.

Edhe mungesa e stafit dhe ikja e tyre për në vendet jashtë Kosovës ose për në sektorin privat në Kosovë.

Foto ilustrim nga Albanian Post.

“Urgjent të rritet buxheti për shëndetësi, të hartoj program për ruajtjen e kuadrit profesional i cili çdo ditë ik nga sistemi publik. Furnizimi me barna të garantohet sidomos për sëmundje të rënda. Por, pa rritjen e mirëqenies së punëtorëve shëndetësor secili që vjen do të dështoj”, thotë Syla për AP.

Vendimi i ish ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi nuk erdhi nga dëshira.

Problemet e shumta që e shoqëruan kanë bërë që ai të marrë vendimin siç e ka quajtur “më të vështirë të jetës së tij”.

Pas dorëheqjes Latifi ka drejtuar akuza ndaj strukturave brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Sipas tij dy këto institucione udhëhiqen nga njerëz që kanë mungesë totale të aftësisë menaxheriale.

“Mungesa e profesionalizmit administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë, të shtresuar ndër vite, që për rezultat ka sjellë keq menaxhime të mëdha dhe procedura arkaike të dizajnuara për të penguar zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës dhe menaxhim diktatorial i administratës, që ka krijuar një atmosferë toksike në raport me kabinetin tim”, ka shkruar Latifi në një raport të bërë nga vet ministri për sfidat dhe të arriturat e tij gjatë periudhës sa ishte ministër.

Ai përpos këtyre dy institucioneve në mënyrë të tërthortë ka shprehur indinjatën e tij edhe ndaj Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, buxheti i vogël në shëndetësi dhe mungesa e projekteve kapitale për vitin 2022 janë disa nga shembujt e neglizhencës në këtë sektor.

Misioni Rifat, dështoi me sukses

Rifat Latifi është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë qeverisjes së Kurtit. Para tij ishte Arben Vitia, i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi, ishte thënë se për këtë vendim ai kishte menduar tash e disa muaj.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, është shkruar në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi.

“Bashkangjitur me këtë letër, gjeni një përmbledhje të shkurtër të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si ministër”, ka përfunduar ai.

Për shkak të angazhimeve të tij, Rifat Latifi, qysh nga emërimi para 11 muajve e deri të enjten e 14 shtatorit kur edhe dorëzoi dorëheqjen, ishte një turist i interesuar për shëndetësinë, por pa fajin e tij.

Kur ishte ftuar ta merrte detyrën, ai kishte prezantuar këtë nevojë të udhëtimeve të tij të shpeshta dhe Kurti kishte pranuar.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Për ata që e përcjellin shëndetësinë, dorëheqja ishte çështje kohe.

Kryeministri nuk ishte treguar i sinqertë me ofertën e tij për ministrin e ri. Ai u emërua, por asnjëherë s’iu dorëzua autoriteti real.

Persona të rëndësishëm brenda ministrisë nga Vetëvendosje – mbetje të Arben Vitisë – nuk e pranuan asnjëherë Latifin. Çfarëdo nisem e tij vullnetmirë do ta kishte destinacion dështimin, meqë ajo duhej të kalonte nëpër hallka pushteti brenda ministrisë që kishin pezmatim me të.

Kryeministri këtë jo vetëm që e dinte, ai edhe e miratonte.

Të mërkurën e 14 shtatorit, kur edhe vendosi ta poshtërojë publikisht ministrin e tij dhe njoftoi formimin e komisionit ekzekutiv për shëndetësi, të cilin vetë do ta udhëhiqte, Albin Kurti tha edhe se “qasja e fragmentuar nuk është treguar efikase”.

“Prandaj, sot jemi para një situate që na kërkon veprim urgjent, ekspeditiv dhe me qasje të integruar shumë sektoriale”.

14 shtatori do të ishte dita kur Latifi do e kuptonte përfundimisht se është kurthuar në një eksperiment qeverisës brutalitetin e të cilit do ta ndjente më shumë se asnjëherë në momentin kur këshilli që tashmë udhëhiqte Kurti vendosi të ndërmarr disa masa diskriminuese në raport me punëtorët shëndetësorë.

Kështu, nëse asgjë tjetër, do ndryshonte diskursi rreth problemeve në shëndetësi dhe më e rëndësishme fajtori.

Nëse gjendja do të vazhdonte të mbetej e njëjtë, fajtor nuk do të ishte qeveria për mos-efikasitet në politika, por punëtorët shëndetësorë për jo profesionalizëm e dembeli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore