Lajme

Kush janë patriotët anti-Putin në Rusi?


Zëdhënësi i Legjionit të Rusisë së Lirë quhet Maximillian Andronnikov.

I gjatë, i hollë, pa përvojë ushtarake, por prej më shumë se një viti stërvitet së bashku me vullnetarët e Legjionit.

Si i ri ai ishte bashkuar me “Lëvizjen Perandorake Ruse”, jo saktësisht një grup liberal apo demokratik.

Përfaqësuesi politik i Legjionit është Ilya Ponomarev, një ish-deputet i Dumës, i afërt me reformizmin rus të miliarderit anti-Putin, tani në mërgim në Londër, Mikhail Khodorkosky.

Korpusi vullnetar rus, më i vogël në numër se Legjioni, paraqitet si një opozitë e armatosur ndaj Putinizmit nga pozicionet e ekstremit të djathtë, nostalgjik për carizmin.

Deklarata të turpshme nga një komandant i dyshuar po qarkullojnë në rrjet.

“Nëse më quajnë neo-nazist, nuk më intereson. Nuk e konsideroj fyerje”.

Është një galaktikë e larmishme dhe e errët luftëtarësh që po tallen me mbrojtjen ruse në kufirin midis rajonit ukrainas të Kharkiv dhe atij rus të Belgorodit.

Sipas një interviste të publikuar pak ditë më parë për “Corriere” nga Ponomarev, konsistenca e tyre numerike është rreth dy mijë ushtarë për Legjionin dhe 500 për “Trupat Vullnetare”.

Ata janë të gjithë rusë nga etnia dhe pasaporta, të bashkuar nga urrejtja ndaj regjimit të Putinit.

“Disa jetonin në Ukrainë në kohën e pushtimit, të tjerë erdhën me qëllim për t’u bashkuar me luftën, të tjerë janë ushtarë të Federatës që dezertuan për t’u bashkuar me forcat tona”.

Të dy grupet ushtarake janë pjesë e ushtrisë ukrainase brenda Legjionit të Huaj, i cili ka gjithashtu batalione shtetasish bjellorusë, gjeorgjianë, çeçenë dhe perëndimorë.

Ata duhet t’i nënshtrohen komandës qendrore në Kiev dhe janë të armatosur dhe të stërvitur si ushtarët ukrainas.

Për të shmangur të infiltruarit, procesi i përzgjedhjes është i plotë dhe përfshin hetime të shërbimit sekret dhe përdorimin e detektorëve të gënjeshtrës.

Inkursionet në territorin rus janë një risi e kohëve të fundit.

E para u zhvillua më 22 maj dhe zgjati dy ditë, rezultati i të dytit që filloi të premten nuk është ende i qartë.

Sidoqoftë, në të kaluarën, vullnetarët rusë që luftonin për Kievin morën pjesë në mbrojtjen e disa vendeve në Donbass, Kherson dhe gjithashtu në betejën e përgjakshme të Bakhmutit.

Paqartësia e statusit ligjor të këtyre milicëve të huaj i lejon Ukrainës të mbajë një distancë të caktuar nga inkursioni, sikur të ishte një çështje e brendshme ruse.

Aleatët perëndimorë kanë vendosur gjithmonë ndër kushtet për dërgimin e armëve që ajo të jetë “ndihma mbrojtëse”, domethënë të ndihmojë Kievin të çlirojë territoret e pushtuara nga ushtria ruse.

Jo për të sulmuar vetë Rusinë.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore