Kush ishte Hassan Nasrallah, armiku i betuar i Izraelit që fshihej prej vitit 2006

Si adoleshent, ai kishte studiuar teologji në qytetin e shenjtë shiit të Najaf, Irak
SHFLETO
Rajmonda Basha
28.09.2024 12:12
Loading Icons...

Hassan Nasrallah, lideri i Hezbollahut, të cilin Izraeli tha se e kishte vrarë, në bastisjen e djeshme në Bejrut, dhe më pas u konfirmua dhe nga Hezbollah, lindi më 31 gusht 1960 në një familje modeste me nëntë fëmijë në kryeqytetin libanez.

Familja e tij vinte nga fshati Bazouriyé në Libanin jugor. Si adoleshent, ai kishte studiuar teologji në qytetin e shenjtë shiit të Najaf, Irak, por duhej të largohej gjatë goditjeve anti-shiite të udhëhequra nga presidenti i atëhershëm irakian Saddam Hussein.

Më pas për disa vite studioi në Qom të Iranit dhe kjo kishte krijuar një marrëdhënie të veçantë me regjimin iranian. Pasi u kthye në Liban, i tronditur nga lufta civile që filloi në 1975, ai iu bashkua lëvizjes shiite Amal, por e la atë gjatë pushtimit izraelit të Tokës së Cedarëve në verën e vitit 1982 për t’u bërë pjesë e bërthamës themeluese të Hezbollahut.

I martuar me pesë fëmijë, Hassan Nasrallah fliste rrjedhshëm gjuhën Farsi. Ai mbante çallmën e zezë të Sejedëve, pasardhësve të Profetit Muhamed.

Luftëtarët për Asadin dhe lavdërimet e masakrës së 7 tetorit – Pas vendimit të Nasrallah për të dërguar luftëtarë në Siri në mbështetje të Asadit , udhëheqësit sunitë libanezë akuzuan Hezbollahun se e kishte tërhequr vendin në luftën siriane.

Me sulmin e 7 tetorit të nisur nga Hamasi në jug të Izraelit, i cili u pasua me shpërthimin e luftës në Gaza, filloi një kapitull tjetër në situatën gjithmonë të tensionuar në kufirin mes Libanit dhe Izraelit.

Nasrallah tha se ai nuk ishte në dijeni të planit të sulmit të Hamasit, por e vlerësoi atë si një “akt heroik”.

Nga dita e nesërme, më 8 tetor, nisën sulmet me raketa kundër Izraelit në shenjë solidariteti me palestinezët. Pushimi i zjarrit në Gaza dhe Hezbollahu do të ndalojë lëshimet e raketave, është mantra që Nasrallah ka përsëritur në 11 muajt e luftës në Rrip.

Vendbanimi sekret – Në një intervistë të rrallë ai deklaroi se kishte luajtur futboll në rini dhe se ende e donte Maradonën. Edhe pse teknikisht nuk ishte një figurë publike zyrtare në Liban, ai ishte një nga politikanët më të shquar të vendit.

Ai vendosi për luftë ose paqe, ishte në krye të institucioneve të fuqishme dhe një milicie të frikshme, të armatosur rëndë. Një armik i betuar i Izraelit, ai është shfaqur rrallë në publik që nga lufta që vuri lëvizjen e tij kundër ushtrisë izraelite në verën e vitit 2006, dhe vendndodhja e tij është mbajtur gjithmonë e fshehtë.

Në fjalimet e tij ai gjithmonë ka nënvizuar se nuk është e mundur të bëhet paqe me Izraelin dhe zgjidhja e vetme është të përzënë izraelitët me armë.

Në fjalimin e tij më 25 gusht, ai akuzoi qeverinë e Benjamin Netanyahu se kishte kaluar “të gjitha vijat e kuqe”. Që nga viti 2006, kur pati një raund të parë të luftës së hapur, ai nuk i shqipton më ato në publik sepse kishte frikë se mos i vrisnin.

Por i gjithë vendi ishte i akorduar në fjalimet e tij të gjata, të transmetuara drejtpërdrejt, në të cilat ai përdorte humor, por nuk hezitoi të kërcënonte armiqtë e tij. Ndjekësit e tij e quanin atë “Sayyed” ose “Abu Hadi” – në arabisht babai i Hadiut, djalit të vrarë në përleshjet me trupat izraelite në 1997.

I shpëtuan sulmit me pager – Shërbimet e sigurisë së Hezbollahut kanë punuar gjithmonë për të parandaluar operacionet e mundshme izraelite kundër Nasrallahut: të izoluar në vende të panjohura, ku nuk mund t’i afrohesh me telefona dhe ata i nënshtruan kërkimeve maniake këdo që e takonte.

Ai kishte arritur t’i shpëtonte sabotazhit masiv me pagerët që shpërthyen dhjetë ditë më parë.

Në vitin 1997, një nga katër djemtë e tij, Hadi Nasrallah, i cili ishte trajnuar për tre vjet në forcat speciale të grupit libanez, vdiq në moshën tetëmbëdhjetë vjeç në një përleshje me trupat izraelite. Trupi i tij u kthye tetë muaj më vonë në këmbim të eshtrave të ushtarëve izraelitë.

Marrë nga Il Fatto Quotidiano, përshtatur për Albanian Post