Shqipëria

Kush është Klodian Rjepaj, ish-zv.ministri i Shëndetësisë nën logon e LSI, i arrestuar për koncesionin e sterilizimit?


E enjtja e 17 gushtit do të shihte një sërë arrestimesh të bujshme në Shqipëri, sa i takon një çështjeje tepër të nxehtë të viteve të fundit, siç është ajo e një tenderi 100 milionë eurosh, për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore pranë QSUT.

Mes tetë personave ndaj të cilëve Prokuroria e Posaçme SPAK lëshoi urdhër-arreste ishte dhe Klodian Rjepaj, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë në kohën kur tenderi u miratua dhe iu dha biznesmenit Ilir Rrapaj.

Ky i fundit, po ashtu u arrestua nga SPAK, nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, kur mbi Rjepajn rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Por kush është ai dhe çfarë përfaqëson në politikën shqiptare?

Rjepaj është personi kryesor i lidhur me ngjarjen, pasi ka qenë në krye të komisionit të prokurimit publik në shkurt 2013, kur gara për koncesionin 100 milionë eurosh u hap.

Në vitin 2016, ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për tre koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ku Rjepaj mbante pozitën e zëvendësministrit, nën ministrin e asaj kohe, Ilir Beqja.

Prokuroria e Tiranës deklaroi atëherë se kontrata e sterilizimit nuk kishte elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen, por hetimi rinisi pas 3 vitesh kur Nisma Thurje që dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapokrijuar.

Rjepaj në fakt erdhi në atë pozitë falë Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila në atë kohë, me koalicionin që bëri me Partinë Socialiste, mori përtej pesë ministrive, edhe shtatë poste zëvendësministrash (një prej të cilëve u emërua Rjepaj).

Taktikë dhe orientim, si u organizua operacioni i SPAK për koncesionin e sterilizimit

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kishte 2 zv.ministra, përkatësisht ish-drejtoresha e INSTAT-it, Milva Ekonomi, si dhe koordinatorin e Programit Kombëtar HIV/AIDS, Klodian Rjepaj.

Klodian Rjepaj ka mbajtur dhe postin e shefit të kabinetit të ish-ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, në 2009 – 2012, si dhe ka qenë kryetar i Komitetit Koordinues për luftën kundër HIV/AIDS dhe Tuberkulozit në Shqipëri.

Rjepaj qëndroi në detyrë deri në vitin 2017.

Ndërsa, tashmë, përballet me akuza të rënda nga SPAK dhe mund të jetë vetëm maja e ajsbergut në një sërë arrestimesh të lidhura me shëndetësinë.

Akuzat zyrtare të SPAK

Në bazë të akuzës zyrtare nga SPAK, Rjepajt i jepet masa “arrest me burg”, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Për biznesmenin Rrapaj, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

Persona të tjerë me masa nga SPAK janë gjithashtu:

Caktimin ndaj personit nën hetim Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike pranë Ministrisë së Shëndetësisë, të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim Saimir Kadiu, drejtor ekonomik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim Arben Gjata, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, njëkohësisht shefi i kirurgjisë pranë QSUT, të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim Pertef Mersini, të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim Genc Burazeri të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Caktimin ndaj personit nën hetim Naile Ajazi të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

Po ashtu, SPAK ka bërë me dije se hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

Hetime të mëtejshme, sa është raportuar, vijojnë nga SPAK, ku pjesë është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili në atë kohë ka drejtuar dikasterin.

Ndërsa, në cilësinë e personit me dijeni, është thirrur për të dëshmuar edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Çfarë ka ndodhur saktësisht?

Dosja e sterilizimit ka qenë një ndër më të nxehtat e paraqitura në SPAK, e denoncuar fillimisht nga Nisma Thurje në dhjetor 2019.

Asokohe, SPAK e mori në pyetje tre herë ish-zëvendësministrin. Ai rezulton se përmes një memoje të lëshuar më 26 qershor 2014, ka përmendur qendrën e sterilizimit në QSUT, si vend i mundshëm ku mund të përballohej sterilizimi i instrumenteve për 60 mijë operacione.

Kjo provohet edhe nga një shkresë me numër protokolli 693/4, e cila thekson se vlera e pajisjeve të marra në dorëzim nga koncesionari shkon në 107 milionë lekë.

Argumentimi për këtë tender, i dhënë nga ish-zëvendësministri, është ai i shmangies së prokurimit publik, shtyrë nga situata e infeksioneve të larta.

SPAK-ut iu desh tre vjet të hetonte mbi çështjen, që të vinin tashmë arrestimet e para.

Po ashtu, së bashku me Rrjepajn, mësohet se është arrestuar edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili mbrëmjen e 16 gushtit u shoqërua nga Policia, pasi nuk kishte pranuar të dëshmonte me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme SPAK, sa i takon çështjes.

Ai akuzohet për “mashtrim me pasoja të rënda” lidhur me rastin.

Ai është shoqëruar pikërisht për t’u marrë në pyetje mbi këtë hetim që SPAK po zhvillon, pasi kompania “Investital LLC”, ka fituar të drejtën e koncesionit të majmë me vlerë 100 milionë euro.

Ai tashmë pritet t’i përgjigjet prokurorëve lidhur me detajet e këtij përftimi.

Sipas një hetimi të gjatë të medias BIRN, për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Perugias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1 mijë e 500 eurosh.

Në vitin 2013, me ardhjen e socialistëve në pushtet, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës, u kthye në Shqipëri. Dy vjet më pas, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, ai u shpall fitues i kontratës koncesionare prej 100 milionë eurosh, por me një tender tejet të kundërshtuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1 mijë eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40% të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Konkurrent në tender kanë qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si: “S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.

Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore