Stil

Kush do t’i marrë stolitë e Mbretëreshës Elizabeth II?


Kurora, varëse, byzylykë, unaza, vëthë, mbi 300 pjesë nga koleksioni i bizhurterive të Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, kanë mbetur tashmë pa një pronare dhe të gjithë pyesin veten se si ato do të ndahen.

Monarkia britanike e ka të menduar edhe këtë gjë në protokoll.

Teksa të gjithë po mendojnë për funeralin e Mbretëreshës, i cili do të zhvillohet të hënën e 19 shtatorit, me orarin zyrtar të varrimit në orën 18:30, në mënyrë tërësisht private, disa i kanë sytë për nga stolitë e shumta që monarkja zotëronte përgjatë kursit të saj të mbretërimit.

Një pjesë shumë e vogël e tyre, do të mbesin përjetë me Elizabeth II, pasi do të groposen së bashku me të.

Copëza më e rëndësishme ndër to, do të jetë pa diskutim unaza martesore e Mbretëreshës, e cila është e përbërë nga ar dhe një diamant, i cili i përkiste kurorës së nënës së princit Filip, i cili e shoqëroi Elizabeth-ën për 70 vjet në martesë.

Shumicën e stolive, do t’i marrë mbreti Charles III, ndaj, do t’i takojë atij të vendosë se kujt do t’ia japë bizhuteritë.

Një aspekt interesant, është edhe fakti se nuk duhet të paguhet asnjë taksë trashëgimie për gjithë vlerën e stolive, pasi ligji britanik e përjashton Monarkinë nga këto detyrime.

Gjithsesi, ato nuk mund të shiten, vetëm të dhurohen dhe të përdoren.

Pjesa më e mirë nga ana e Charles, mendohet se do t’i jepet bashkëshortes së tij, Camilla dhe pjesa tjetër princeshave trashëgimtare.

Vlera tërësore e stolive, mendohet të jetë rreth 3 milionë paundë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore