Lajme

Kush do e kontrollojë perandorinë e biznesit të Berlusconi-t, Fininvest SpA


Vajza dhe djali i madh i Silvio Berlusconi-t përforcuan kontrollin e tyre mbi perandorinë e biznesit të familjes, pasi janë pronarë të shumicës së Holding-ut “Fininvest SpA”.

Kjo e fundit, kontrollon një sërë kompanish të themeluara nga ish-kryeministri italian i cili vdiq muajin e kaluar.

Lajmi u bë i ditur nga kompania “Bloomberg”, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje.

Marina dhe Pier Silvio Berlusconi morën në zotërim një shtesë prej 20 për qind të Fininvest-it sipas kushteve të vullnetit të babait të tyre, thanë njerëzit.

Vendimi u raportua më parë nga agjencia e lajmeve Ansa.

Aksionet kontrolluese të Fininvest-it përfshijnë MFE-MediaForEurope N.V., transmetuesi më i madh komercial në vend dhe Arnoldo Mondadori Editore SpA, botuesi i tij më i madh.

Holding gjithashtu ka një pakicë të aksioneve në ofruesin e shërbimeve financiare Banca Mediolanum SpA.

Marina, e cila është kryetare e Fininvest, dhe Pier Silvio, që drejton MFE-në, tani do të kontrollojnë rreth 53 për qind të Fininvest-it.

Fininvest tha në një deklaratë të enjten se “asnjë aksionar nuk do të ushtrojë kontroll të përgjithshëm indirekt individual” të Holding-ut.

Silvio Berlusconi gjithashtu zotëronte disa vila dhe prona të tjera prestigjioze të patundshme në Milano, Romë dhe Sardenjë, si dhe piktura dhe bizhuteri të vlefshme.

Pasuria e tij personale përllogaritej në rreth 7 miliardë euro (7.6 miliardë dollarë).

Trashëgimia politike e Berlusconi-t ende nuk është sqaruar.

Në kohën e vdekjes së tij Berlusconi ishte në krye të partisë së qendrës së djathtë Forza Italia të cilën ai e themeloi në 1994.

Grupi i është dorëzuar përkohësisht zëvendësit të tij, ministrit të Jashtëm Antonio Tajani. Procesi për të zgjedhur një pasardhës mund të nisë në javët e ardhshme.

Nuk ka gjasa që trashëgimtarët e Berlusconi-t të luajnë një rol të drejtpërdrejtë në politikë, por bizneset që ai lë pas janë më të forta se grupimi i tij politik.

Pas dominimit të peizazhit politik për vite me rradhë, Forza Italia është tkurrur duke u bërë partneri më i vogël në koalicionin e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni e të djathtës ekstreme “Fratelli d’Italia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore