Kusari: Maratona e Tiranës cenoi përfaqësimin shtetëror të Kosovës

SHFLETO

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.

 

Altina Marmullaku
23.10.2023 9:29
Loading Icons...

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, konsideron se në maratonën e Tiranës është cenuar përfaqësimi shtetëror i Kosovës në garë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kusari ka thënë se vrapuesve nga Kosova nuk i është njohur përkatësia shtetërore.

“Përderisa të gjithë pjesëmarrësve nga vendet tjera, ju njihej përkatësia shtetërore dhe shënohej flamuri shtetëror në rezultatet e garës, fatkeqësisht kjo nuk ishte rasti me vrapuesit nga Kosova”.

“Të gjithë pjesëmarrësit nga Republika e Kosovës në Maratonën e Tiranës ishin përfaqësues me shenjën XK (dhe jo KOS, sipas shkurtesës zyrtare të Kosovës) dhe pranë kësaj shkurtese nuk ishte flamuri ynë. Do të thotë, rezultati final i garës nuk mban as emrin dhe as flamurin e Kosovës, përkundër faktit që vit pas viti, numri i shtetasve të Kosovës është në rritje në vrapimin e Tiranës”.

Një rast i ngjashëm ajo ka pohuar se ka qenë edhe në Maqedoninë e Veriut, por që ishte përmirësuar.

“Të njëjtin rast e kemi hasur më herët në Maqedoninë e Veriut, por gabimi ishte korrigjuar dy vite më parë, pas reagimit të vrapuesve nga Kosova”.

“Se do vinte dita të mos njohje shkurtesa zyrtare dhe shënohej flamuri i Kosovës në Shqipëri, nuk do e mendoja. Duke qenë e vetëdijshme se gabimi përtej teknik, nuk ka asnjë prapavijë tjetër, lus organizatorët të ngritin këtë çështje me kompaninë greke që administroi numrat e garës, dhe asnjëherë tjetër të mos përsëritet ky gabim”.

Sipas saj, Shqipëria nuk do të duhej të ishte në listën e shteteve që cenon përfaqësimin shtetëror të garuesve nga Kosova.

“Gara duhet të jetë fillim e mbarim për përfaqësim të denjë dhe të barabartë për të gjithë!”.

Maratona e Tiranes apo Tirana Marathon është maratona e parë ndërkombëtare që u zhvillua në Tiranë më 21 tetor 2012 nën kujdesinë e Bashkisë së Tiranës, e njejta vazhdon të organizohet çdo vit në Tiranë.