Lajme

Kusari-Lila: Serbia nuk po mbahet në llogari nga BE-ja, ashtu siç po synohet Kosova


Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila pas mbledhjes së kryesisë ka komentuar masat e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

Pas mbledhjes së kryesisë, Kusari-Lila ka thënë se shpresojnë që këto “masa të jenë të përkohshme”, por sipas saj Serbia nuk është duke u mbajtur në llogari nga BE-ja ashtu sikurse po synohet të mbahet edhe Kosova.

“Masat ashtu si janë dhënë të shpresojmë që të jenë të përkohshme, njëjtë sikurse janë deklaruar edhe nga zyrtarët e BE-së. Vlera e projekteve për të cilën flasim ka të bëjë me projekte të cilat janë duke u shqyrtuar do të thotë që ndikimi i drejtpërdrejt nëse janë afatshkurtra nuk është i ndjeshëm”.

“Kosova është rreshtuar si vend demokratik për sundimin e ligjit dhe shpejtësia dhe lehtësia për të cilin është diskutuar për Kosovën, përkundër faktit se ka qenë dhe mbetet Serbia e cila ka nxitur situatën dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në përshkallëzimin e situatës edhe ka ushtruar dhunë, nuk është mbajtur në llogari ashtu siç po synohet të mbahet Kosova”, deklaroi Kusari-Lila para gazetarëve.

Nga gazetarët ajo është pyetur edhe për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për mbajtjen e një konferencë të shtypit ndërkombëtar ku Kosova dhe Serbia do të mund të gjejnë një zgjidhje për situatën aktuale.

Kusari-Lila, pohoi se Kosova e ka kaluar një fazë të tillë.

“Kosova e ka kaluar fazën e mbajtjes së konferencave ndërkombëtare për gjetje të zgjidhjeve të çështjeve të cilat kanë zgjidhje, por nuk ka vullnet nga pala tjetër. Çfarë ne mund të themi është që përpjekja jonë është që t’i kthehemi zbatimit të marrëveshjeve, dialogun e shohim të pa alternativë”.

“Por, organizimin e një konference të natyrës së propozuar nga kryeministri Rama, nuk e shohim si zgjidhje aktuale të problemit që e mbizotëron problemin e dialogut”.

Kurse për dështim të mbledhjes së kryesisë ajo ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Kjo për arsyeje të mungesës së nënkryetarit në këtë mbledhje.

“Sot siç mund ta shini nuk është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Mungoi nënkryetari i LDK-së Kujtim Shala, nuk kishim një paralajmërim nga ta. Tash mbetët që në kompetencë të kryetarit të Kuvendit të vendoset për seancë të re”.

“Sot kryetari deklaroi që është mirë që partitë të mbajnë një qëndrim të veçantë me kryesinë, sepse ajo duhet që të ndahet nga politika. Sot ishin tre nënkryetar të Kuvendit, ajo çka mund të themi që përgjithësitë dhe detyrat e secilit janë të përcaktuara”, tha Kusari-Lila.

Ajo bëri të ditur se nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, pritet të kthehet në fund të muajit korrik.

“Zonja Bogujevci, pritet të kthehen në fund të këtij muaji. Megjithatë, është edhe një rrethanë specifike që nuk ka një përfaqësues për anëtar të Listës Serbe nga ana e kryesisë”.

“Ajo çka vendoset në kryesi nuk është që vendoset vetëm për agjendat e seancave, ka edhe kërkesa të ndryshme që lidhen me mbarëvajtjen e punës së Kuvendit”.

Edhe nga opozita janë deklaruar për dështim të mbajtjes së mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Gashi: S’do të ketë seanca normale pa u heq sanksionet ndaj Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore