Lajme

Kusari-Lila pranon se ka dyshime për faturim jo të saktë të rrymës: Qytetarët të ankohen te KESCO


Adnan Rrustemi dhe Mimoza Kusari - Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, në një konferencë për media, ka pranuar se ka dyshime për faturim jo të saktë të energjisë elektrike nga institucionet kompetente, pasi shumë qytetarë janë ankuar në rrjetet sociale ditëve të fundit se fatura e rrymës për muajin dhjetor u ka ardhur shumë më e lartë krahasuar me faturën e muajit të kaluar, apo të të njëjtit muaj vitin e kaluar, duke ngritur shqetësime se çmimi i rrymës mund të jetë rritur.

Prandaj ajo ka apeluar që qytetarët t’i drejtohen furnizuesit në këtë rast Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për ankesa.

“Ndërsa qytetarët nëse nuk pranojnë një përgjigje të mirëfilltë për ankesat e tyre mund t’i drejtohen edhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike”

Kusar-Lila më tej duke folur për situatën energjetike në Kosovë ka theksuar se “Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar përballjen me krizën energjetike e cila ka tash disa vite që mbizotëron jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit dhe në Evropë”.

KESCO në anën tjetër, të martën, tha se vlera e faturës së muajit dhjetor është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës” dhe mossubvencionimit të konsumatorëve kursimtarë nga Qeveria e Kosovës krahasuar me një vit më parë, pas ankesave të shumta nga konsumatorët.

KESCO, ndër të tjera, tha në një njoftim se nuk ka pasur rritje të çmimit të rrymës prej rritjes së fundit prej 15 për qind më 1 prill të këtij viti.

“Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kwh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve”, tha KESCO.

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike “s’është e rastësishme, por e qëllimshme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore