Lajme

Kusari-Lila: Do të ballafaqohemi me sulme të tjera derisa Serbia të ketë qasje të njëjtë


Shefja e grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari Lila.

Shefja e grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së kryesisë ka deklaruar se janë të vetëdijshëm që situata e sigurisë në Veri është akoma e brishtë, madje ajo ka paralajmëruar sulme të tjera nga Serbia derisa të ndryshohet qasja e saj.

“Situata e sigurisë në Veriun e vendit mbetet e brishtë, për shkak të pretendimeve dhe rrezikut që ekziston nga grupe të caktuara të mbështetura nga Serbia”.

“Përderisa e kemi këtë Serbi, me këtë qasje do të kemi dhe do të ballafaqohemi me sulme apo potencial për sulme të tilla”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, vendi s’mund të jetë i relaksuar pasi Serbia mbetet vendi me më së shumti destabilitet.

“Të gjitha informacionet e sigurisë, tregojnë për prezencë të shtuar të forcave ushtarake serbe në kufi me Kosovën”.

Për grafitet e paraqitura të dielën ajo tha se tashmë kanë nisur hetimet nga institucionet.

“Paraqitja e grafiteve sigurisht që është marrë me seriozitet nga organet e rendit ashtu edhe siç e dini menjëherë janë aktivizuar edhe policia edhe prokuroria në identifikimin e autorëve”, tha Kusari Lila.

Duke shtuar se, “të tilla nuk kemi pasur vetëm në Kosovë, fatkeqësisht kemi pasur edhe në Malin e Zi”.

Ajo theksoi se informacionet për sulmin në Banjë tregojnë se Serbia s’është ndaluar asnjëherë për të arritur qëllimet e veta.

“Sa i përket situatës apo mundësisë së paraqitjes së sulmit në Banjë në shtator të 2023-ës, të gjitha informacionet tregojnë se asnjëherë s’kanë rreshtur pretendimet e Serbisë për destabiltiet të Kosovës, në veçanti nga Veriu i vendit”.

Ndërsa, bëri të ditur se gjatë kësaj jave në Kuvendin e Kosovës do të jenë tri seanca plenare.

Deputetët do të mblidhen të merkurën për të shqyrtuar pikat e mbetura nga e kaluara, ndërkaq të enjten do të mbahet seancë e re plenare.

Seanca e tretë mbahet po ashtu të enjten e cila nis në orën 10:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore