Kosova

Kusari kategorikisht kundër vendimit të Gjykatës – “Domosdoshmërisht të ndryshohet”


Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, për rastin e dënimit të të akuzuarit për dhunimin e 15 vjeçares me vetëm tetë muaj burgim është “i papranueshëm”, dhe ka kërkuar që i njëjti rast të rishikohet e të ndryshohet domodoshmërisht.

“Ky vendim është i papranueshëm, i pa tolerueshëm dhe duhet doemos të rishikohet dhe ndryshohet, menjëherë”, ka shkruar Kusari në një postim në llogarinë e saj në Facebook.

Sipas saj, me këto veprime e këto dënime “fuqizohen dhe trimërohen kriminelët, se ata po i mbron Gjykata”.

“Ky përveç se është skandali i radhës i sistemit tonë gjyqësor, ky veprim dhe ky dënim tregon degradimin moral të shoqërisë tonë. Sot, kur jemi duke kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, sistemi ynë gjyqësor mbulon krimin e viktimave të reja të pas luftës”, shtoi Kusari.

“Tetë muaj, vetëm tetë, për një krim që do e gërryej dhe përcjellë një vajzë, atëherë të mitur, nesër grua e ndoshta nënë, të shqiptuara nga Gjykatësja grua e cila jo vetëm që tregon se nuk paraqet integritet profesional në dënimin e saj, por as ndjeshmëri njerëzore për vuajtjet e një vajze e cila mund të ishte secila nga vajzat tona”, është shprehur Kusari.

Lidhur me rastin, edhe Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, është shprehur e shqetësuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë e cila shqiptoi dënimin me vetëm “8 muaj e 8 ditë burgim” ndaj dhunuesit të vajzës së mitur 15 vjeçare.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook shkroi se “sapo përfundova fjalën në konferencën që i dedikohej viktimave të krimit, u njoftova me lajmin që dhunuesi seksual ndaj vajzës 15 vjeçare qenka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, pa asnjë rrethanë rënduese dhe fatkeqësisht shumë rrethana lehtësuese”.

Haxhiu u shpreh se këto vendime janë absurde dhe janë vetëm nxitëse për dhunuesit për të kryer përsëri këso krimesh.

“Jam shumë e shqetësuar në raport me këto vendime absurde të padrejta dhe që motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat!”, shkroi Albulena Haxhiu.

Kërkohet shkarkimi i gjyqtares – dënoi të akuzuarin për dhunimin e 15 vjeçares vetëm me tetë muaj burgim

Para dy muajsh, gjyqtarja Florie Zatriqi, ka marrë këtë vendim, ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë për këto raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Gjatë procesit gjyqësorë në këtë rast, raportohet se gjyqtarja nuk ka arritur të gjejë as një rrethanë rënduese ndaj kryesit të veprës, ndërkaq ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndaj tij. Ndër to edhe “rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”.

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi, pasi që e njëjta ka dënuar një person të akuzuar për dhunimin e një 15 vjeçareje me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim.

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA)

Përmes një komunikate për media, QIKA, ka potencuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet urgjentisht të tregojë për publikun se cilat janë masat që do të ndërmerren (ose që janë ndërmarrë) ndaj gjyqtares së rastit.

“Sipas Kodit Penal të Kosovës dënimi për dhunim në rastin kur viktima është i/e mitur parashihet të jetë nga pesë deri në 20 vite burgim. Prandaj, ndaj gjykatëses Florije Zatriqi duhet të zhvillohet procedurë disiplinore dhe në bazë përfundimeve të procesit t’i jepet masa disiplinore e merituar që konsiderojmë se duhet të jetë shkarkimi”, thuhet në komunikatë.

“Ky vendim është shkelje e të drejtës elementare të viktimës për proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor andaj në asnjë mënyrë nuk do të pranohet. Gjyqtarja e rastit duhet të shkarkohet”.

Rrjeti i Grave: Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të inkurajojnë dhunuesit e vajzave

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, duke thënë se “institucionet e drejtësisë po vazhdojnë të inkurajojnë dhunuesit e vajzave”.

Rrjeti i Grave të Kosovës

“Duke qenë se sipas ligjit kjo vepër penale dënohet 5 deri në 20 vite burgim, Gjykata Themelore e Pejës ka dështuar të shqiptojë dënimin e merituar për dhunën ndaj vajzave, duke pasqyruar kështu edhe një herë mungesën e reagimit institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore”.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bënë fakti se tashmë i dënuari P.K nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore