Lajme

Kusari: Bordi i RTK-së s’diskutuan fare për tekstin partiak “për atentat ndaj Kurtit”


Juristja e mediave, Flutura Kusari ka thënë se për lajmin e çuditshëm të publikuar nga Radio Televizioni i Kosovës se ndaj kryeministrit, Albin Kurti, pati plan për atentat, nuk është diskutuar fare në mbledhjen e bordit të RTK-së që është mbajtur këtë të hënë.

“Bordi i RTK-së dhe drejtori gjeneral sonte në takim të bordit nuk e ngritën fare për diskutim tekstin partiak të transmetuar në lajme dhe kanalin online”, ka shkruar Kusari në Facebook, pasi i ka përcjellur nga afër punimet bordit të RTK-së.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut e ka mohuar se kishte plan për atentat ndaj Kurtit dhe se ka njfotuar se vizita e tij në RMV është organizuar sipas rregullave të paracaktuara.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thanë nga MPB e Maqedonisë së Veriut.

Në anën tjetër, Kurti i pyetur nga gazetarët për situatën, nuk e pohoi krejtësisht, por provoi të lë një hapësirë për interpretim.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate”, deklaroi Kurti.

Mediumi publik, pasditen e të shtunës, ka raportuar se institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se nga Serbia, ka përpjekje për vrasjen e Kurtit, derisa ai po qëndronte në Shkup pas mbledhjes së  Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Atentati fiktiv” – Kryeprokurori i Shtetit as Kryeprokurori i PSRK nuk u informuar lidhur me pretendimet për atentat ndaj Kurtit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore