Lajme

Kurtit iu prezantua modeli i Tirolit Jugor për Asociacionin, thotë Abdixhiku


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i është ofruar si model për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe autonomia e Tirolit Jugor në Itali.

“Kurtit i janë prezantuar 15 modele në tavolinë për Asociacionin, a e dini cili model iu ka prezantuar – i Tirolit Jugor”, tha Abdixhiku në një intervistë në Radio Televizionin Dukagjini.

Tutje, ai vazhdoi shpjegimin se çfarë është Tiroli Jugor, ku tha se “emri i Tirolit Jugor është regjioni autonom i Tirolit Jugor”, dhe përsëriti “regjioni autonom i Tirolit Jugor”, duke shtuar se “në këtë tendencë sipërfaqësore (në dialog), ky ka lënë një dëm tani më të madh”.

Ndërkaq, duke iu referuar nenit të shtatë të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ai potencoi se Vetëmenaxhimi dhe Asociacioni nuk janë e njëjta gjë.

“Vetëmenaxhimi është e drejtë, Asociacioni është trup fizik, mos t’i ngatërrojmë dy gjëra, nuk janë as zëvendësues të njëri tjetrit, dhe as nuk hiqet njëra e vjen tjetra, por vetëmenaxhimi është një e drejtë që i jepet një komuniteti serb, dhe nuk thotë për vetëm për komunat me shumicë serbe, por vetëmenaxhimi kudo që ka serb”.

Po ashtu, kreu i LDK-së shtoi se Kurti po i përzien kartat e Këshillit të Evropës të cilat rregullojnë “vetëmenaxhimin” për pakicat kombëtare.

“Ky po e citon gabimisht kartën e të drejtave të minoriteteve, por ne po ju themi që nuk është kjo kartë, por është karta për vetëqeverisje lokale, dhe kjo kartë i ka këto modele që iu kanë prezantuar në tavolinë”, tha ai.

Gjithashtu, ai nënvizoi se “kam pritur që në aneks të sqarohet neni shtatë, të thuhet nuk kemi të bëjmë me kartën evropiane për vetëqeverisje lokale, kemi të bëjmë me një organizim më ndryshe”.

Ndryshe, Tiroli Jugor përbëhet nga dy provinca: Trento, në të cilën jetojnë folësit e gjuhës italiane dhe Tiroli Jugor, ku jetojnë folësit e gjuhës gjermane. Kjo zonë ishte pjesë e Austro-Hungarisë deri në aneksimin nga Italia në vitin 1919. Nga viti 1919 deri në vitin 1947 rajoni quhej Venecia Tridentina.

Ky rajon autonom kufizohet në veri me Austrinë, në perëndim me rajonin e Lombardisë dhe në jug me Veneton. Rajoni ka një sipërfaqe prej 13.619 km², është krejtësisht malor dhe përfshin zonën e Dolomiteve dhe Alpeve Jugore.

Në vitin 1943, pas kapitullimit të Italisë, rajoni u pushtua nga Gjermania Naziste dhe u sundua deri në mbarim të luftës. Sundimi italian u rivendos në vitin 1945.

Gjatë miratimit të kushtetutës së re italiane, në vitin 1946, Italia dhe Austria arritën marrëveshje për t’i dhënë autonomi të konsiderueshme këtij rajoni.

Kushtetuta hyri në fuqi në vitin 1947. Gjuha gjermane dhe gjuha italiane ishin dy gjuhët zyrtare, dhe gjuha gjermane përsëri u lejua në shkolla.

Megjithëse u arrit kjo marrëveshje ajo nuk i kënaqi as popullsinë gjermanishtfolëse, as qeverinë austriake dhe kështu u rritën tensionet ndërmjet dy shteteve. Kjo çështje u soll para OKB-së, në vitin 1960. Raundi i ri i negociatave u zhvillua në vitin 1961, për shkak të veprimeve terroriste që kishin filluar separatistët.

Në vitin 1971 u arrit në marrëveshje, që kontradiktat mbi Tirolin e Jugut të zgjidhen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Gjithashtu u arrit marrëveshja për autonomi më të madhe për rajonin dhe u ra dakord që Austria të mos ndërhyjë në punët e brendshme të rajonit.

Marrëveshja ishte e kënaqshme, dhe tensionet separatiste u qetësuan. Pozita e rajonit është përmirësuar me hyrjen e Austrisë në BE, në vitin 1995, gjë që ka përmirësuar bashkëpunimin ndër-kufitar.

Ekskluzive: Të gjitha modelet evropiane që u shqyrtuan për të formuar Asociacionin “sui generis” në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore