Kosova

Kurtit i pengon fishkëllima e aktivistes, urdhëron truprojat ta nxjerrin jashtë


Foto nga vendi i ngjarjes

Ishte duke folur për rininë kur një e re e pengoi të flas tutje me fishkëllima.

Tingulli protestues i aktivistes së re në drejtim të Albin Kurti nuk zgjati shumë, meqë ia ndalën truprojat e kryeministrit dhe e nxorën jashtë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një fjalimi të Kurtit në Konferencën për Rininë që po mbahej në Bibliotekën Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ku nga qeveria po merrte pjesë edhe Ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku.

Aktivistja nga Partia Socialdemokrate, Sonila Pllashniku, përveç fishkëllimave ka hedhur edhe disa letra në drejtim të kryeministrit.

Ngjarjen e pa edhe Miguel Perestrello, president i Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore.

Kurti po vinte në këtë ngjarje, pasi paraprakisht mbajti fjalim në konferencën vjetore të organizuar nga ministrja Rozeta Hajdari, e dënuar për mos deklarim të pasurisë dhe akoma e pahetuar për parregullsitë me rezervat shtetërore që u paguan, por kurrë nuk erdhën në Kosovë.

Kurti ne fjalim gjate konferences vjetore ne MINT

Hajdari është e dënuar po ashtu për shkeljen e një vajze të mitur me veturë derisa ajo po kalonte rrugën në trafik.

Ngjarja kishte kaluar pa pasoja fatale, por Hajdari u dënua për vozitje të pakujdesshme me gjobë me para.

Në fjalimin para të pranishmëve Kurti tha se qeveria që udhëheq ai “e ka rritur punësimin në sektorin privat”.

“Rritjen ekonomike dhe të hyrave e kemi shpërndarë tek qytetarët dhe nuk e kemi mbajtur për shtetin”, shtoi ai duke aluduar në shtesat e njëhershme që qeveria i ka ndarë në disa raste përgjatë këtyre tri viteve dhe që është kritikuar nga njohës të ekonomisë sa herë që e ka bërë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore