Lajme

Kurtit i del vonë gjumi për Asociacionin


Albin Kurti

Dy muaj pasi e pranoi në parim propozimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm që ta shkruajë një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse në nëntor kishte thënë se e kishte vlerësuar se do ishte më mirë për vendin nëse ai, në emër të Kosovës, nuk do të bënte propozim për një mekanizëm të tillë.

Duke qenë se është një obligim ndërkombëtar për Kosovën, Kurtit vazhdimisht i është kërkuar nga Perëndimi, por edhe nga opozita që ta hartojë vetë si kryeministër një draft-statut për Asociacion, por ai nuk kishte pranuar, çka kishte bërë që ndërmjetësi, në këtë rast Bashkimi Evropian, ta sjellë një të tillë, ai që “Pesëshja e Madhe” ia solli në zyrë kreut të ekzekutivit më 21 tetor, për të cilin njohës të Kushtetutës po e konsiderojnë si tejet të dëmshëm për vendin, madje si një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb.

Më 3 nëntor, Kurti kishte deklaruar se nuk ka propozuar draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për shkak se kishte besuar se ky do të ishte opsioni më i mirë, në mënyrë që ndërmjetësit mos të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijela Vujiçiç – e cila kishte propozuar një draft për këtë mekanizëm në cilësinë e kryesues së Ekipit Menaxhues – dhe propozimit të tij.

Mirëpo, më 21 dhjetor, Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për ta shkruar një draft-statut në emër të Kosovës, që është kundër idesë së tij për këtë çështje, të cilën e kishte mbrojtur me fanatizëm.

Ndërtimi i situatës

Kryeministri, në seancën parlamentare të 3 nëntorit, ku ishte ftuar nga opozita që të raportonte për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, posaçërisht pas pranimit të draft-statutit evropian për Asociacionin, në tentativë për të shpjeguar pranimin, të cilën, për ta kundërshtuar kishte organizuar protesta masive, madje kishte hedhur gaz lotsjellës në kuvend, kishte folur edhe për atë se pse nuk e ka propozuar një të tillë në emër të Kosovës.

Arsyeja, pohonte Kurti, “që konsideroj që do të kishte qenë gabim, ta zëmë në majin ose qershorin, që ne ta shkruajmë një statut për Asociacionin – sepse atëherë ka qenë trysnia edhe insistimi më i madh: shkruajeni Kosovë draft-statutin – është se në njërën anë ndërmjetësi e ka pranuar draft-statutin e deputetes së Serbisë, kreut të atij Ekipit Menaxhues, Danjiela Vujçiç, i cili është edhe më keq se Republika Srpska”.

“Nëse ne si Kosovë do të shkruanim një draft-statut, atëherë për mua, prej bisedimeve të brendshme, ka qenë shumë e qartë se ndërmjetësi ka tendencën ta gjejë mesataren, dhe ajo mesatare do të ishte shumë më e keqe për neve”, vlerësonte Kurti.

Atëherë Kosova, besonte Kurti, “qeveria, posaçërisht unë, do të vendoseshim në një kënd me komplet insistimin ndërkombëtar për një mesatare midis asaj që shkruajmë ne dhe asaj që tashmë e kishte shkruar Danjiela Vujçeviç”.

Kurti shprehej i bindur se po ta bënte një gjë të tillë ka qenë “kurth” për të.

“Jam i bindur për këtë gjë, madje edhe më shumë sot se sa në pranverë edhe në verë që po të kisha shkruar unë një draft-statut do të vinin me një mesatare aritmetikore mes Danila Vuçeviç-it dhe meje si kryeministër i Kosovës, dhe kjo të ishte në dëm të Kosovës”, deklaronte.

“Kam insistuar në parime, në principe. Dhe tash emisarët kanë ardhur me një draft-statut, i cili njëmend i respekton këto principe, mirëpo prapë kam vërejtjet e mia”, shtonte.

Por, as dy muaj nga këto deklarata, ai do dilte me një qëndrim diametralisht të kundërt, duke kundërshtuar atë që vetë e ka thënë, duke shprehur tani gatishmërinë e tij për ta shkruar draftin e Asociacionit.

Këtë e ka bërë përmes një shkrimi në Facebook, të cilin e ka titulluar “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, ku i ka paraqitur shtatë hapa që do të ishin në funksion të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Aleksandër Vuçiç)”, shkroi fillimisht ai.

“Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Miroslav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiç (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, propozoi Kurti.

Lidhur me këto ndryshime të Kurtit sa i përket kësaj cështje ka pasur reagime të shumta.

Njëra nga ta ishte Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili e konsideroi se një veprim i tillë është i vonshëm, pasi që tha se Kurti ka pranuar “autonomi”, duke iu referuar draftit evropian që e ka sjellë “Pesëshja e Madhe”, më 21 tetor.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se ka plot dy vite që LDK-ja, dhe të gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, i kërkojnë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, “i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’” – duke iu referuar deklaratës së Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ka thënë se Kosova është shtet i përkohshëm, duke aluduar në bashkimin me Shqipërinë – “që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës” dhe “si obligim ndërkombëtar i Kosovës”.

Por, përkundër këtyre kërkesave, Abdixhiku thekson se ka dy vite që Kurti, të cilit vazhdoi t’i referohet si ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, “i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”.

“Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha: ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’”, shtoi.

Por, thekson ai, “dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi”, dhe i njëjti, sipas tij, jo si mes, “por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!”.

“Dy muaj më pas, tek pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’, del me propozim që tani Kosova ta shkruaj statutin e Asociacionit vet. Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas”.

“Vonë”, vlerëson ai, “shumë vonë”, insiston. “E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’ dhe Presidenti i Serbisë”.

Dhe, sipas kreut të LDK-së, jo vetëm kaq.

“Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë”.

Merreni me mend, shkroi ai, “një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë”, duke shtuar se ka dy muaj që ngrisin në pah këtë, siç e quan ai, “çmenduri”, dhe “tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë”.

“Çfarë ndodhi ‘kryeministër i përkohshëm’?”, e pyeti Abdixhiku Kurtin. “E kuptove – më në fund – këtë çmenduri?”.

“A e kuptoni se sa pak di?”, vazhdoi pyetjet e tij. A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij”.

Paqëndrueshmëria e tij, pra e Kurtit, në vlerësimin e liderit të opozitës, “është thelbi i pasigurisë!”, ndërsa, sipas tij, “padituria” e Kurtit është “çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore