Kosova

Kurti: Zvogëlim i prezencës policore vetëm rreth ndërtesave komunale në Veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas zvogëlimit edhe për 25% të pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat në Veri ka thënë se ky zvogëlim do të ndodh vetëm afër ndërtesave komunale, dhe jo në pjesën tjetër të vendit.

“Zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, ka thënë Kurti.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, kreu i ekzekutivit është shprehur se sundimi i ligjit po vazhdon të përmirësohet çdo ditë e më shumë.

“Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë”.

“Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka thënë se vendimin që e kanë marrë janë duke e vendosur në përputhje me atë që kishin thënë më herët.

Tutje ai ka shtuar se “ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional”.

Ai tutje ka shtuar se po zbatojnë me “përgjegjësi dhe seriozitet” marrëveshjen e Bratisllavës.

“Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”.

Kurti, ka kërkuar nga qytetarët, “që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike”.

Kurse ka shtuar se, “lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë”.

Çka pranoi Kosova në Bratislavë?

Më 10 korrik në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, qeveria kishte pranuar planin e de-eskalimit të situatës në Veri, që ishte prezantuar që një kohë nga BE-ja dhe që mbështetej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Pranimi i këtij plani nga Kosova – i prezantuar tash e një kohë nga BE-ja dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kishte ardhur vetëm pasi që ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese nga BE-ja dhe ShBA-ja, kjo si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri, pasi që të njëjtit e konsideronin Prishtinën përgjegjëse për të gjitha tensionet e krijuara atje.

Situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur me 14 qershor, xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan pas presionit të madh të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore