Lajme

Kurti: Zhvillimi i Kosovës pengohet nga Serbia – në dy vitet e mija të para në pushtet, katër herë grumbulloi ushtrinë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një adresimi virtual në kuadër të Konferencës së Lidershipit të Oksfordit (OLC24), derisa komentoi mbi punën e të arriturat e qeverisë, tha se rrugëtimi euro-atlantik i Kosovës pengohet në mënyrë aktive nga Serbia, ndërsa shtoi se gjatë dy viteve të para të qeverisjes, shteti serb grumbulloi katër herë ushtrinë përgjatë kufirit.

Ai theksoi se Serbia nuk është e interesuar të jetë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) apo Bashkimit Evropian (BE), ndërsa theksoi se aleanca e shtetit serb me Rusinë dhe fantazitë për një të kaluar alternative janë duke e mbajtur peng mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Serbia, në dy vitet e para si kryeministër, grumbulloi ushtrinë e saj përgjatë kufirit me Kosovën katër herë dhe sponsorizoi terrorizmin brenda kufijve tanë”, nënvizoi kreu i ekzekutivit kosovar, derisa përmendi protestat e dhunshme të serbëve dhe sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe.

“Në shtatorin e kaluar, një polic kosovar u vra pas një inkursioni të terroristëve paramilitarë. U sekuestruan armë dhe pajisje ushtarake me vlerë mbi 5 milionë euro. Rreth 90 ushtarë të NATO-s u plagosën majin e kaluar – disa të plagosur rëndë – për shkak të sulmeve nga një turmë e sponsorizuar nga Beogradi”, deklaroi mes tjerash kryeministri Kurti në adresimin e fundit.

Ai trajtoi edhe sfidat në nivel global e rajonal, duke shprehur vullnetin e Kosovës për bashkëpunim. Megjithatë, shtoi kreu i ekzekutivit kosovar, vendi aktualisht është duke u përballur me pengesa absurde të rrënjosura në ankesat historike dhe tendencat autokratike, duke u referuar në pretendimet territoriale të Serbisë autokratike mbi Kosovën demokratike.

“Kosova është demokracia më e avancuar në rajon dhe ka kushtetutën më të avancuar në Evropë për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë. Raporti i vitit 2024 nga Instituti V-Dem me bazë në Suedi për matjen e demokracisë e vendosi Kosovën në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor dhe e vuri në pah si një nga demokracitë e pakta që u përmirësua në nivel global”.

Duke nënvizuar se vala e autokratëve kërkon në mënyrë aktive të përmbysë demokracinë dhe të minojë të drejtat e njeriut, kryeministri Kurti shtoi: “Ngjarjet e tre viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit, na kujtojnë se barazia, të drejtat e njeriut dhe demokracia s’mund të merren si të mirëqena. Ato duhet të ushqehen, mbrohen dhe të avancohen me çdo kusht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore