Lajme

Kurti: Vuçiçi është i fiksuar me Adem Jasharin – Milan Radojçiçin e projektonte si të tillë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë disa detaje të padëgjuara më parë nga takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi më 2 maj në Bruksel, duke thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka shprehur obsesionimin e tij me Adem Jasharin – komandantin legjendar të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UCK).

Kreu i ekzekutivit kosovar, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – ku u vra një rreshter dhe dy të tjerë u plagosën, tha se presidenti serb dëshironte që Manastirin e Banjskës ta kthente në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës.

“Vuçiç është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiç do të bëhet Adem Jashari i serbëve”, ka shkruar kreu i Qeverisë së Kosovës.

Ai ka theksuar se Kosova është shtet demokratik e vend properëndimor dhe kush integrohet, sipas tij, jeton më mirë. Prandaj, ka shtuar kryeministri Kurti, serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Kosova por nga veglat terroriste të Serbisë, andaj ka pasur edhe një porosi për presidentin serb.

“Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, ka përfunduar postimin shefi i ekzekutivit kosovar pikërisht në ditën kur u publikuan edhe pamjet ku shihet nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radojçiç, duke udhëhequr terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin Radojçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore