Lajme

Kurti: Vazhdimisht po e rrisim buxhetin për shqiptarët e Luginës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ekzekutivi që ai e udhëheqë vazhdimisht po e rrit buxhetin për shqiptarët e Luginës së Preshevës, derisa shtoi se “jemi të interesuar që t’i mbështesim ata në çdo aspekt”.

Këto komente, Kurti i bëri nga Gjilani, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni, pasi që u pyet nga gazetarët nëse beson se shqiptarët që jetojnë në Serbi do të arrijnë që të fitojnë mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare atje, të cilat do të mbahen më 17 dhjetor, dhe se a po u jep mbështetjen e tij atyre në këtë proces.

“Natyrisht që ne japim kontributin tonë që zëri dhe interesi i shqiptarëve të jenë sa më shumë të përfaqësuar dhe ky kontribut i yni bëhet nëpërmjet takimeve me ta, sidomos nëpërmjet këshilltares time për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani”, tha Kurti.

Në këtë mënyrë, theksoi ai, “të krijohet edhe bashkëpunimi i ngushtë, por edhe organizimi sa më i madh për sa më shumë mandate atje”.

Sa i përket numrave sesa mandate mund të marrin shqiptarët në parlamentin e Serbisë, kreu i ekzekutivit theksoi se nuk mund ta dijë një gjë të tillë, pasi që tha se Serbia nuk është vend demokratik sikurse ne, “por gjithë mbështetjen [shqiptarët e Luginës] tonë e kanë”.

“Këtë vit e kishin buxhetin 2 milionë euro, për vitin e ardhshëm e kemi shtuar, e kemi bërë 3 milionë euro. Kështu ne po vendosim dyshemenë, përfundi së cilës nuk do të mund të shkojë as qeveria e jonë në vitet e ardhshme, por as një qeveri në të Ardhmen sa i përket ndihmës për Luginë”, shtoi.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare në Serbi, deri më tani, nga radhët e shqiptarëve, është paraqitur vetëm një listë zgjedhore, Koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.

Kamberi, i cili ka qenë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, synon që ta marrë edhe një mandat.

Nga ana tjetër, Kurti është akuzuar, sidomos nga Kryetari i Preshevës, Shqiprim Afrifi, se po krijon përçarje tek shqiptaret që jetojnë në Serbi.

Por, mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.

Ai e ka mbështetur Ardita Sinanin – tanimë këshilltare e tij – në kohën kur Arifi po tentonte që ta zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës.

Ndaj akuzave të Arfiti, deri më tani – asnjëherë – nuk u është përgjigjur kreu i ekzekutivit kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore