Kurti uron Berset: Kosova thellësisht e përkushtuar për vlerat themelore të Këshillit të Evropës

SHFLETO

Ilustrim: Albin Kurti dhe Alain Berset

 

Dreni Himbeqa
26.06.2024 10:16
Loading Icons...

Pas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar ish-presidentin e Zvicrës, Alain Berset, i cili të martën u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KiE) për një mandat pesë vjeçar.

Kurti nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, ka thënë se mezi pret të punojë me Berset për vlerat themelore të Këshillit të Evropës si të drejtat e njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

“Vlera për të cilat Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar si një shtet aspirant për anëtarësim”, ka shkruar ai.

Ndërkohë Osmani ndërsa uroi Berset për pozitën e re tha se Kosova është e përkushtuar të anëtarësohet në organizatën lidere evropiane për të drejtat e njeriut.

“Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësim në KiE – një anëtarësim që jo vetëm do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm. Kosova në KiE është një synim që do të vazhdojmë ta ndjekim pa pushim. Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë realitet!”.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.