Kosova

Kurti udhëton për në Mbretërinë e Bashkuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes në Londër.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate dërguar mediave.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar. Atje, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, ku edhe do të jetë folës kryesor”.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë konferencë ai do të takohet edhe me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron – i cili gjithashtu do të marrë pjesë në këtë konferencë.

“Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe në Parlamentin britanik, si dhe do të ketë një bashkëbisedim me Drejtuesen Ekzekutive të Institutit ODI (Overseas Development Institute), Sara Pantuliano, për 25-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës”.

Gjatë muajit shkurt, Kurti kishte pasur dy vizita zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai kishte marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, më 23 shkurt.

Ndërsa, edhe më 12 shkurt, Kurti kishte pasur një vizitë zyrtare ku kishte marrë pjesë në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Politikave Chatham House”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore