Kosova

Kurti udhëton drejt Zvicrës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate të lëshuar për media.

“Pastaj do të udhëtojë për në Davos për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku krahas takimeve bilaterale me homologë, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare është i ftuar edhe si folës në panele të diskutimit”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Ndërsa, do të marrë pjesë edhe në një panair me ministren, Rozeta Hajdari.

“Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, fillimisht ai së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të marrin pjesë në hapjen e panairit “Sëissbau 2024”, ku 12 kompani vendore do të promovojnë prodhimet e tyre”.

Edhe në shtator, Kurti i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku kishte qëndruar për një vizitë zyrtar në Zvicër.

Ndërsa, në dhjetor, Kurti kishte realizuar dy udhëtime zyrtare, njërën në Bruksel dhe tjetrën në Gjermani.

Në Gjermani, ai kishte marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).

Ndërsa, më 14 dhjetor ai kishte udhëtuar për në Bruksel për të marrë pjesë  në takimin përgatitor të Këshillit të Bashkimit Evropian me kryeministra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore