Lajme

Kurti u bën thirrje diasporës për regjistrim: Përcaktues për politikat zhvillimore të dekadës së ardhshme


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjermani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjermani, është takuar me një pjesë të mërgatës ku edhe u ka bërë thirrje që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Kurti, në fjalimin e tij ka thënë se ky proces u mundëson atyre të dinë se ku e kanë diasporën dhe sipas tij është përcaktues për politikat zhvillimore të dekadës së ardhshme.

“Në kohën kur po zhvillohet procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, kryeministri përfitoi nga rasti për t’ua rikujtuar dhe për t’i ftuar mërgatën që të regjistrohen nëpërmjet platformës online ediaspora.rks-gov.net deri më 17 maj”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Teksa u diskutua edhe për angazhimin e qeverisjes Kurti në punën e tyre tre vjeçare.

“Kryeministri Kurti i njoftoi ata për zhvillimet e fundit në vend, dhe me rezultatet e qeverisjes tash më shumë se tri vjet, dhe me politikat sociale dhe zhvillimore të qeverisë, përfshirë ato të punësimit të të rinjve dhe ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës frymëzuar nga modelet e arsimit dual që i gjejmë pikërisht në Gjermani, Zvicër e Austri”.

Kreu i ekzekutivit, u bëri thirrje atyre që kanë biznese në Gjermani të vinë dhe të investojnë në Kosovë.

“Duke marrë parasysh progresin që vendi ka shënuar në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë dhe duke marrë shkas pjesëmarrjen në panairin “Hannover Messe 2024”, kryeministri i ftoi edhe inkurajoi mërgatën që të investojnë në Kosovë.  Atyre që kanë biznese në Gjermani u bëri thirrje që të hapin degë në Kosovë, ku ju ofrohen kushte të favorshme për investime”.

Kërkesë tjetër e Kurtit drejtuar diasporës ishte edhe që të ushtrojnë të drejtën e tyre për vote në zgjedhjet evropiane.

“Ndërkaq sa i përket zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, kryeministri porositi të gjithë ata që janë qytetarët të shteteve të Bashkimit Evropian të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe të jenë pjesëmarrës në proceset demokratike të vendeve tyre dhe të kontinentit evropian”.

Më 12 prill edhe Gërvalla, kishte bërë thirrje që diaspora të merr pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Procesi për regjistrimin e popullsisë pritet të zgjasë deri më 17 maj, pjesëmarrja në regjistrim është e obligueshme me ligj.

Ndërsa në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me gjobitje prej 30 deri në 2 mijë euro.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë për herë të fundit ishte organizuar në vitin 2011.

Edhe në vitin 2011 serbët kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë proces, sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

Ndryshe fillimi i procesit u shty për disa herë.

Regjistrimi i popullsisë fillimisht ishte paraparë të nis më 1 shtator të vitit të kaluar, ai u shty për 1 nëntor, për t’u shtyrë më pas përsëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore