Lajme

Kurti thotë se Lajçaku ka fshehur gjëra edhe nga Borrelli, lërmë nga BE dhe shtetet anëtare, duke i ndihmuar Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i bindur se Miroslav Lajçak jo veç që punon në favor të Serbisë, por ai edhe fsheh gjëra nga Bashkimi Evropian.

“Nuk e di sa e ka ditur, jo Bashkimi Evropian dhe qeveritë më të fuqishme të BE-së, por sa e ka ditur vetë Borrell që Serbia nuk bën propozime. Në një moment kur unë i them Vuçiç-it cili është propozimi juaj, edhe Borrell i thotë cili është propozimi? Pastaj Lajçak tha ‘jo jo e ka dhënë më herët’. Pastaj na sollën një dokument që është më i vjetër që gjashtë muaj”.

Kurti, tha se ka njoftuar  shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-të për njëanshmërinë e Lajçakut.

“Unë me 15 shtator u kam dërguar letër Parisit, Berlinit, Romës edhe Uashingtonit. Nuk është këtu çështja BE, SHBA. Këtu kemi të bëjmë me një emisar i cili e ka deformuar procesin, duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të Marrëveshjes, por duke lejuar që qerrja të vije para kuajve”.

“Ky deformim i procesit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që është fondamentale. Sa herë që ka shkelje të marrëveshjes, do të duhej që arbitri t’i bije pipit”.

_______________________________________________________________________________________

Kurti thotë se Lajçak është përfaqësuesi i Serbisë në dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka sulmuar ashpër emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, duke thënë se ai është përfaqësues i Serbisë në dialog dhe jo një person neutral që takon propozimet e të dyja vendeve.

“Unë nuk do të thosha që BE është koordinuar me Serbinë, por do të thosha që emisari special ka pasur koordinim me presidentin serb. Sepse nuk shpjegohet ndryshe. Paradoksalisht Serbia e ka bërë përfaqësues Lajçakun. Ai ka propozuar të gjejë mes midis propozimeve të Kosovës dhe kushtëzimet e Kosovës. Duhet të flasim me BE-në për emisarin evropian, kjo mënyrë jo neutrale dhe aspak korrekte”.

___________________________________________________________________________

Kurti: Ndërmjetësi është pozicionuar qartë kundër Kosovës, është goditur e ardhmja e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e fundit në Bruksel ai është ballafaquar me një plan që e kishte përgatitur ndërmjetësi Miroslav Lajçak me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Në konferencë për media, Kurti deklaroi se e pa gjatë takimit se po bëhej fjalë për një skenar të parapërgatitur.

“Në takim u ekspozova përballë një skenari të cilin Lajçak e kishte dizajnuar kohë më parë”, deklaroi Kurti.

“Vuçiç e Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe shpërfillje të koordinuar”, tha kryeministri.

“Pasi u refuzova në sintoni nga Vuçiç-i e Lajçaku, atëherë i pyeta se ‘a ka bërë Serbia ndonjëherë ndonjë propozim’. Lajçak tha se ‘po’. Serbia tha ai ‘ka sjellë propozimin gjithashtu’. Unë insistova ta shoh atë dokument. Nuk mu dha ai dokument dhe pas shumë insistimeve pas përfundimit të takimit mu soll një dokument që mu tha se është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit”.

“Duket se Lajçak dhe Vuçiç kanë qenë të koordinuar me një qëllim të vetëm, të bëjnë të pamundur një skenarë në të cilin marrëveshja zbatohet në plotni dhe i japin jetë një skenari alternativ ku vetëm gjysma e marrëveshjes zbatohet e gjysma tjetër, ajo që përbën pjesën më civilizuese të mos zbatohet”.

“Më lejoni ta përfundojë këtë pjesë të parë të fjalimit se me 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike. Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, deklaroi Kurti.

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore