Kosova

Kurti: Tema e të pagjeturve “kryefjalë” me Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ceremonisë përkujtimore të ditës ndërkombëtare e personave të zhdukur

Ditën Ndërkombëtare e personave të Zhdukur e kanë përkujtuar edhe Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Dy këta për shenjë nderimi kanë vendosur lule në monumentin e Personave të pagjetur ku me ç ’rast, kanë mbajtur edhe fjalim.

Gjatë fjalës së tij, Kurti, ka thënë se çështja e të pagjeturve në raport me Serbinë është kryefjalë.

Ai madje ka bërë thirrje që Serbia ti hapë arkivat për çështjen e personave të zhdukur.

“Në këtë ditë në të cilën ka më shumë ankth se sa pikëllim, meqenëse 1 mijë e 632 persona nga Kosova vazhdojnë të jenë të pagjetur, vazhdojnë të mos e kemi të zbardhur fatin e tyre. Ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt nëse nuk i adresojmë çështjet e të kaluarës”, është shprehur Kurti.

“Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën. Vrasja e shqiptarëve pastaj varrosja e zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e tyre nëpër varrezat në Serbi, zhvarrimi prej atje, nuk është bërë nga qytetarët e zakonshëm por nga aparati shtetëror”, ka përfunduar ai.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka potencuar se “fati i të pagjeturve bëhet më tragjik pasi që ata janë në duart e shtetit serb një shteti i cili ka ushtruar gjenocid ndaj popullit të Kosovës e që fatkeqësisht ende nuk po distancohet nga kjo kaluar e tmerrshme dhe nga krimet që ka kryer ndaj popullit kosovarë”.

Osmani ka bërë të ditur se asnjë çështje nuk është më prioritare në procesin e dialogut sesa kthimi i më të dashurve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore