Kurti takon zyrtarin e lartë amerikan: Forcimi i partneritetit të mbrojtjes me ShBA-të, thelbësor për sigurinë

Takimi ka ndodhur në margjinat e Forumit të Sigurisë në Varshavë të Polonisë, në të cilin Kurti është duke marrë pjesë.
SHFLETO

Foto: Albin Kurti

 

Dini Fetahu
01.10.2024 17:55
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të martën me Michael Carpenter, Drejtor i Lartë për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka theksuar se forcimi i partneritetit të mbrojtjes me ShBA-të është thelbësor për sigurinë rajonale.

Takimi është zhvilluar në margjinat e Forumit të Sigurisë në Varshavë të Polonisë, derisa lajmin e ka bërë të ditur Kurti, përmes një postimi në platformën X.

Takimin me Carpenter, kreu i ekzekutivit e cilësoi si “pozitiv” dhe “produktiv”.

“Forcimi i partneritetit tonë të mbrojtjes me SHBA-në është thelbësor për sigurinë dhe paqen rajonale pasi ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit me aleatët tanë”, shkroi kryeministri.

Gjatë ditës, në Forumin e Sigurisë në Varshavë të Polonisë, Kurti është takuar edhe me Ministren e Jashtëm të Letonisë, Braze Baiba, me të cilën ka diskutuar për sigurinë rajonale në Evropë.

Takimin e ka bërë të ditur Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social X.

“Diskutuam për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Letonisë bazuar në vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin tonë për paqen dhe sigurinë rajonale në Evropë. Mezi presim bashkëpunimin e vazhdueshëm në sfidat e përbashkëta”, ka shkruar Kurti.

Kurti do të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit të Sigurisë (WSF), i cili do të zhvillohet nga 1 tetori deri më 2 tetor.

Në fokus të këtij forumi do të jenë çështjet kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes nën trysninë e kërcënimeve të paqes.

Gjithashtu, pjesëmarrës në këtë forum, i cili mbledh rreth vetes liderë, diplomatë, ushtarakë dhe ekspertë të sigurisë, do të jetë edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili do të kontribuojë në diskutimet rreth politikave të mbrojtjes.

WSF është një nga forumet kryesore evropiane për sigurinë, i cili synon të avancojë dialogun politik rreth strategjisë së mbrojtjes për paqe dhe stabilitet, posaçërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore. WSF organizohet që nga viti 2014 në Varshavë.