Kurti takon aktivisten shqiptare nga Sanxhaku, bisedojnë për pozitën e shqiptarëve në Serbi

SHFLETO

Albin Kurti dhe Amina Nuraj

 

Dini Fetahu
25.11.2023 22:28
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar këtë të shtune Amina Nuraj, aktiviste e çështjes kombëtare shqiptare në Sanxhak, me të cilën ka biseduar për pozitën e shqiptarëve në Serbi.

“Në takim, kryeministri Kurti dhe Nuraj folën për pozitën e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht në Sanxhak, dhe për sfidat dhe vështirësitë e tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Aty theksohet se kreu i ekzekutivit është njoftuar mbi aktivitetet e aktivistes Nuraj në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës, identitetet dhe traditës shqiptare dhe avokimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi.

Foto: Zyra e kryeministrit

Të mëkurën, në Pazarin e Ri (Novi Pazar), u hap zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) – ku mori pjesë edhe kryetari i KKSH-së, Nevad Lutfiu – të cilën do ta drejtojë aktivistja Nuraj.

Në këtë drejtim, Kurti e ka falënderuar Nurajn për kontributin dhe angazhimin e palodhshëm të saj, derisa i ka uruar punë të mbarë në zyrën e KKSH në Pazarin e Ri.

“Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Republikë së Kosovës kishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar, me qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar”.

Më 22 nëntor, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Nevzad Lutfiu, njoftoi se ishte hapur një zyrë e KKSH-së në Novi Pazar (Pazarin e Ri).

“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka hapur zyrën e tij në pazar të ri. Kjo, vetëm pak muaj pasi nxënësit shqiptarë të Sanxhakut u furnizuan me çanta dhe filloi kursi i gjuhës shqipe”, shkroi ai në Facebook.

Ai kishte theksuar se shqiptarët në Pazarin e Ri nga tani kanë edhe një shtëpi të re.

“Kjo në vigjilje të festave të nëntorit. E gëzofshi për shumë gjenerata”, shtoi Nevzadi.

Shqiptarët që jetojnë në  Serbi janë të shtypur sistematikisht nga institucionet serbe.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.