Kosova

Kurti takoi drejtues të ndërmarrjeve në Zvicër, i fton të investojnë në Kosovë


Rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës ishte në qendër të takimeve që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati në Cyrih me drejtuesit e ndërmarrjeve zvicerane.

Gjatë një dreke pune, Kurti theksoi indikatorët pozitivë ekonomik, qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, fuqinë punëtore profesionale si dhe shpenzimet e ulëta operacionale si disa prej arsyeve se pse Kosova ka potencial serioz për investime të huaja.

Ai po ashtu foli për marrëdhënien e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës falë mërgatës së madhe shqiptare atje, dhe për planet dhe synimet e qeverisë për ta bërë atë pjesë integrale të zhvillimit të vendit.

“Ndërsa në takimin me Asgar Brockmeyer, Zëvendës Kryeshef Ekzekutiv i Grupit Stadler Rail, duke theksuar mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë, Kurti foli për qëllimin e Qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës cilësore që redukton kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat. Po ashtu, lidhur me integrimin e rajonit, kryeministri veçoi hekurudhën ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, Brockmeyer potencoi gatishmërinë e Stadler Rail për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer ekspertizën e tyre në hekurudha me Qeverinë e Kosovës dhe ministrinë e linjës.

“Ai bëri të ditur se përfaqësuesit e Stadler Rail së shpejti do të vizitojnë Kosovën për shkëmbime të mëtejshme”.

Kurti dhe Ëeber nënshkruan një letër qëllim, nëpërmjet së cilës Qeveria e Kosovës dhe SELISE, në formë të shkruar shprehin interesimin e përbashkët për të promovuar të bërit biznes në Kosovë dhe të mbështetur Republikën e Kosovës në kontekstin e transformimit digjital.​

Po ashtu Kurti ka vizituar fabrikën zvicerane të prodhimit të çokollatës “Läderach”.

Ai u ka bërë ftesë drejtuesve të fabrikës që të kenë parasysh hapjen e një dege të prodhimit të çokollatës edhe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore