Lajme

Kurti takohet me Papën në Vatikan


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Papa Françeskun në Vatikan.

“Në këtë takim të përzemërt, në mëngjesin e ditës më të gjatë të vitit, siç veçoi kryeministri në takim, ai u shpreh falënderues dhe shumë i lumtur për mikpritjen kaq dashamirëse”, thuhet në njoftim të Qeverisë.

“Me Papa Françeskun, biseduan për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë”.

Sipas njoftimit, kryeministri më tej e njoftoi Atin e Shenjtë edhe për suksesin demokratik dhe ekonomik të vendit, dhe për arritjet e qeverisjes së deritanishme, “duke theksuar faktin që jemi qeveria e parë që po ndanë shtesa për nënat lehona dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeç, si politikë mbështetëse për ta”.

Për besimin e tij, kryeministri Kurti theksoi se politika është shërbim, teksa e ftoi Shenjtërinë e tij, Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën, pas rikuperimit të shpejt dhe të mirë nga operacioni kirurgjik që kishte së fundmi.

“Ata u pajtuan se duhet që përherë të jemi pranë e me popullin i cili ka nevojë për dashuri dhe drejtësi”.

Përveç Papa Françeskut, Kurti do të takohet edhe me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parol.

Ndryshe, kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Vatikan dhe takimi i parë i tij me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore