Kosova

Kurti takohet me Lührmann, “folën për vizat”


Foto nga takimi ne kryeministri mes Kurtit dhe ministres gjermane Lührmann

Vizita të rëndësishme ka pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të shtunë, dhe përveç emisarit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili vajtje ardhjet në Kosovë i ka shpeshtuar shumë, Kurti ka pritur edhe ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Lührmann.

“Në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan Gjermaninë për ndihmën, mbështetjen dhe qëndrimin tyre se liberalizmin i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të ndodhë dhe pa ndonjë kusht shtesë”, thuhet në njoftimin për media që ka lëshuar zyra e kryeministrit.

Ky është takimi i dytë i Kurtit me Lührmann, pas atij “në Konferencën e Sigurisë në Munih në shkurt të këtij viti”.

Kryeministri ministrja e Shtetit Gjerman folën edhe për “bashkëpunimin me Gjermaninë në kuadër të agjendës së Republikës së Kosovës për integrim evropian, për Tregun e Përbashkët Rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i lëshuar nga kryeministria tregon se Kurti i ka folur Lührmann edhe për “performancën ekonomike dhe demokratike të vendit në 18 muajt e fundit”.

“Investimet e Huaja Direkte dhe eksportet po vazhdojnë trendin pozitiv të rritjes, ndërkaq që raportet ndërkombëtare si ai Transparency International dhe Reporterëve pa Kufi dëshmojnë përmirësimet në treguesit demokratikë dhe janë referencë që imazhi i vendit është shumë më i mirë se ç’ka qenë”, i ka thënë Kurti ministres.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Ata folën edhe për energjinë, tregon komunikata, si çështje me shqetësim për të gjithë kontinentin e Evropës.

“Krahas planeve afatgjate për tranzicionin e drejtë energjetik dhe investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike”, kryeministri Kurti vendosi theksin te “rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji të dakorduar në Bruksel”.

Nuk është bërë e ditur nëse në këtë takim është diskutuar edhe situata e fundit sa i takon çështjet së dialogut dhe urgjencës për një pajtim mes Kosovës e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore