Shqipëria

Kurti takohet me Komisionin e Integrimit Evropian nga Shqipëria: Mbështetet anëtarësimi i Kosovës në BE


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me Komisionin nga Shqipëria.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me një delegacion të Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit është thënë se në këtë takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e integrimit evropian dhe politikës së jashtme.

“Delegacioni dha mbështetjen e tyre të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit të kaluar, dhe në Këshillin e Evropës, të dorëzuar në maj të vitit 2022”.

Teksa, temë diskutimi kanë qenë edhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimet mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me Komisionin nga Shqipëria.

“U bisedua gjithashtu edhe për marrëdhëniet e ngushta të dy vendeve dhe komunikimin e afërt ndërinstitucional, si dhe për zbatueshmërinë e marrëveshjeve bilaterale, me theks ato në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimit tregtar”.

Delegacioni nga Shqipëria, e uroi kryeministrin edhe për përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës.

“Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku në emër të delegacionit e uroi kryeministrin Kurti për përvjetorin e 15-të të pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Kurti i falënderoi deputetët për vizitën, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për gatishmërinë për të bërë edhe më shumë në shërbim të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Më 13 shkurt, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me delegacionin e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me të cilët ka diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Konjufca ka thënë se u është mirënjohës deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Diskutime të dobishme për zhvillimet aktuale politike dhe çështje me interes të përbashkët, shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar”.

“Mirënjohës dhe falënderues ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e deritashme dhe bashkërendimin e hapave në të ardhmen drejt integrimeve evropiane dhe evroatlantike, si dhe anëtarësimin e shtetit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar Konjufca.

Tutje, Konjufca është shprehur se rrugët drejt Evropës do t’i ndjekin të bashkuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore