Kurti takohet me Borrell-in

SHFLETO

Albin Kurti dhe Josep Borrell

 

Dreni Himbeqa
26.06.2024 15:59
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, ka nisur takimin me shefin e Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas takimit me Kurtin, Borrell pritet të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të vazhduar më pastaj me një takim trelateral.

Ndonëse detaje të hollësishme për agjendën e takimit nuk ka, ajo çfarë është potencuar në përgjithësi është se liderët shtetërorë do të bisedojnë për Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, e dakordësuar mes palëve më 27 shkurt e 18 mars të vitit të kaluar.

Borrell, në një konferencë për media, të hënën, tha se po bën përpjekje të vazhdueshme për të çuar përpara procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në vigjilje të takimit kryediplomati spanjoll, vlerësoi se ndonëse Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, po ngurrojnë që të njëjtën ta zbatojnë në praktikë për arsye të ndryshme.

“Për këtë arsye e shoh si të rëndësishme ta nis një cikël të ri të nivelit të lartë të dialogut për të parë se ku po qëndrojmë. Nuk dua të dorëzohem para se të mbaroj mandatin tim”, tha ai në një konferencë për media.

Për takimin në fjalë, të martën, u deklarua edhe Kurti.

I pari i ekzekutivit do të udhëtojë në Bruksel në funksion të rekapitullimit të këtij procesi.

Sipas tij të mërkurën e 26 qershorit në Bruksel do të shihet se në çfarë “gjendje ndodhet procesi i dialogut” dhe “cilat janë idetë për të ecur përpara”.

“Për bindjen time të fuqishme Marrëveshja Bazike me pjesën integrale të aneksit të Ohrit e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen së paku de facto në qendër andaj, kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por e cila nuk është realizuar deri më sot”, tha ai në një prononcim të shkurtër për media.

Lidhur me pritshmëritë e tij për takimin, u deklarua edhe Vuçiç.

Ai premtoi se e të mërkurën do të ketë një qasje konstruktive dhe se do të mundohet që problemet t’i zgjidh përmes dialogut, duke shtuar se nuk beson në vullnetin e Kosovës për një gjë të tillë.

Vuçiç madje u shpreh i frikësuar nga provokimet eventuale të Kosovës.

Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiç-it, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.