Lajme

Kurti: Synimi gjenocidal i forcave serbe s’kurseu asnjë shtresë të shoqërisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar personat e vrarët në Kaçanik nga forcat serbe në luftë duke thënë se Serbia s’kurseu asnjë shtresë të shoqërisë.

Kreu i ekzekutivit, kujtoi disa nga personat që ishin viktima të gjenocidit serb.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptarë këtu në Kaçanik dhe kudo që ranë në beteja anë e mbanë Kosovës, e në veçanti lavdi katër grave dëshmore këtu në Kaçanik të cilat ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me armikun duke e mbrojtur popullsinë civile”.

“Është Mukadeze Lika Muhaxheri, janë Jehona dhe Lumnije Raka, dhe Emsale Frangu”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ai ka theksuar Mukadeze Lika-Muhaxheri, ishte pjesë e protestave kundër dhunës serbe.

Ndërsa, një vit më vonë ra heroikisht si ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Mukadeze Lika Muhaxheri në maj të vitit 1998 ka qenë në ballë të protestave këtu në Kaçanik kundër dhunës së Serbisë dhe më pak se një vit më vonë ajo bie heroikisht në ballafaqim si ushtare e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore