Kosova

Kurti sot në Shkup – mysafiri i parë i Mickoskit si kryeministër i RMV-së


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të qëndrojë për një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ku do ta takojë kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, ndërsa ky i fundit do të jetë për herë të parë nikoqir i një kryeministri të një vendi pas marrjes së qeverisë, përkatësisht pas fitores bindëse të VMRO DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024.

“Kryeministri Kurti, shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet  infrastrukturore me interes për dy shtetet”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës është thënë se vizita është dakorduar më 20 korrik. E vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut realizohet në kohën e tensioneve diplomatike midis dy shteteve, përkatësisht pas incidentit të fundit në Aeroportin e Shkupit, ku është përfshirë presidentja kosovare, Vjosa Osmani, incident që autoritetet e cilësuan “sulm” ndaj Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut. E opozita shqiptare atje ka fajësuar koalicionin qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE për skandalin. Në qeveri bën pjesë edhe koalicioni i partive shqiptare “VLEN” që u mbështet nga kryeministri i Kosovës kundër Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Gjithashtu, vizita e Kurtit vjen disa javë pas arrestimit të ish-anëtarit të Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia, në pikëkalimin kufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nën akuzat për krime lufte.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë pasur incidente të kësaj natyre në kohën kur në koalicionin qeverisës ka qenë BDI-ja. Megjithatë, për shkak të zhvillimeve të fundit, përfshirë tendencën e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DMPNE dhe “VLEN”-i për t’u afruar me Serbinë, shumë kanë paralajmëruar se raportet mes dy fqinjëve mund të përkeqësohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore