Kosova

Kurti s’ka asnjë dyshim: Zgjedhjet e parakoshme në veri do të mbahen – ditët e ardhshme do jenë më paqësore


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim para gazetarëve në Bruksel pas takimit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian – Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak – ka thënë se është pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

“Sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht që e kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, nëpërmjet një procesi i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur e fer dhe nga zgjedhje të lira dhe demokratike”, tha kryeministri Kurti.

“Për bindjen time të fuqishme, de-eskalimi nënkupton largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve ilegale dhe kriminale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Megjithatë, kryeministri Kurti ka thënë se “paqja e qëndrueshme” në veriun e vendit është ende e pasigurt, porse shtoi se duke u nisur nga optimizmi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Emisarit Special për dialogun Kosovë-Serbi, ditët përpara do jenë më të mira dhe më paqësore.

“Nuk mund të them që situata është e sigurt për shkak të disa takimeve bilaterale dhe të kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit, unë mund të them se ka shenja që ditët përpara do jenë më të mira se ato që i kemi lënë pas”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai ndër të tjera ka theksuar se situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ka ardhur si pasojë që tekstit të Marrëveshjes së Ohrit (18 mars) – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimi nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Borrell: Kosova t’i organizojë menjëherë zgjedhjet në veri – Serbia t’i lirojë menjëherë policët kosovarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore