Kurti s’i beson versionit të Osmanit për rastin në Shkup, “ta presim zbardhjen e rastit nga institucionet”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Altina Marmullaku
05.08.2024 12:46Ndryshe nga Presidenca e Kosovës që e kishte vlerësuar incidentin e presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 2 gusht si “provokim”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rasti nuk ishte provokim duke thënë se duhet të presin zbardhjen e ngjarjes nga institucionet kompetente.
Madje, Kurti u shpreh se as nuk është i informuar se rasti i Osmanit nga ndonjë institucion është vlerësuar si “provokim”.
“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës kësi qëndrime, mund ta ketë thënë ndokush tjetër por jo institucionet e Kosovës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin e situatës”.
“Le të zbardhet rasti janë organet përkatëse që e bëjnë këtë”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ndërsa, nga Presidenca të premten kanë deklaruar se “situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Nga Kurti s’kishte pasur asnjë reagim për incidentin e Osmanit më 2 gusht, kur u pyet nga gazetarët lidhur me këtë rast kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se ka qenë përvojë e rëndë e Osmanit.
“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë më familje”.
“Autoritetet e Maqedonisë, krerët shtetëror këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardh këtë çështje në tërësi dhe në hollësi edhe që të kuptojmë se çka saktësisht çfarë ka ndodhur, e po ashtu që të mos na përsëriten kurrë situatat e tilla”.
Kurti ka shtuar në konferencë se “kryeministri i Maqedonisë dhe unë s’mund ta bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe policin hetues edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit”.
Më 2 gusht, Zyra e Presidencës përmes një reagimi publik është shprehur e indinjuar me deklaratat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët kanë thënë se kur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është kërkuar telefoni i saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka kërkuar që Osmani të kalonte pa u skanuar fare.
Në një reagim të së premtes, nga aeroporti i Shkupit, përkatësisht kompania që e ka nën menaxhim, kanë theksuar se janë udhëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase që ta kontrollojnë presidenten Osmani.
Në reagim e tyre, ata edhe e mohuan që kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Osmani.
“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin. Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rëntgen”, thanë nga aeroporti i Shkupit.
Ndërsa, koalicioni “VLEN”, përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një komunikate për media kanë potencuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.
Kjo ngjarje është cilësuar si një skandal diplomatik, derisa ka pasur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni të Veriut.