Kosova

Kurti shpreh solidaritetin e popullit të Kosovës me atë të Ukrainës, pas sulmit në Luhansk


Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Pas sulmit që ka ndodhur ndaj një shkolle në Bilohorivka, në Luhansk të Ukrainës ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Duke shprehur mbëhtetje për popullin ukrainas, Kurti dënoi këtë sulm.

“I indinjuar nga sulmi brutal i Rusisë ndaj civilëve të pafajshëm në një shkollë në fshatin Bilohorivka, në Luhansk. Pasi i mbijetoi gjenocidit të fundit të shekullit të 20-të dhe pas arritjes së çlirimit, populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Ukrainës”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Gjashtëdhjetë persona dyshohet se kanë vdekur pas një sulmi ajror të shtunën në një shkollë në rajonin e Luhansk-ut ku po strehoheshin rreth 90 persona.

Serhiy Hayday, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhanskut, tha se 30 persona të strehuar në shkollë ishin shpëtuar, nga të cilët shtatë u plagosën, sipas cnn.

Trupat e dy personave u gjetën në rrënoja, tha Hayday në një postim në Telegram të dielën, duke shtuar se “ka të ngjarë që të gjithë 60 personat e mbetur nën rrënojat e ndërtesës të jenë vrarë”.

Një avion rus kishte hedhur një bombë në shkollën në fshatin Bilohorivka, e cila është rreth shtatë milje larg vijës së frontit, sipas Hayday.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore