Lajme

Kurti: Serbia, shteti i parë në Evropë që po operon me armë kineze


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në platformën sociale, X, ka thënë se Serbia është operatorja e parë dhe e vetme e armëve kineze në Evropë, e cila, sipas tij, shfaq hapur një agresion të dhunshëm ndaj Kosovës.

“Sistemi raketor FK-3 (versioni eksportues i HQ-22) është një nga armët kineze të përdorura nga Ushtria Serbe, duke përfshirë edhe dronët CH-92. Kjo e bën Serbinë operatoren e parë dhe të vetme të armëve kineze në Evropë duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës”, shkroi Kurit.

Ndryshe ditë më parë ka deklaruar se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, derisa ka paralajmëruar edhe për riorganizimin e grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç, i cili ka organizuar dhe kryer sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Kreu i ekzekutivit kosovar, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, ka thënë se më 10 nëntor, udhëheqësi i grupeve ilegale serbe në Kosovë është takuar me 40 politikanë serbë, ku sipas tij, nga ata është kërkuar mobilizim për të votuar Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet parlamentare që janë planifikuar të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.

Gjatë këtij takimi, sipas kryeministrit Kurti, përveç deputetëve të Listës Sërpska, kanë marrë pjesë edhe kryetari i këtij subjekti politik, Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviç dhe Dalibor Jevtiç, por edhe Svetllana Milladinov, zëvendëse e ventrikoluistit të propagandës serbe, Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë.

Ai ka kërkuar nga Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe nga BE-ja të dalin me një raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit kundër Kosovës dhe krimin e terrorizmit fundjavën e 24 shtatorit, por edhe të dënohet riorganizimi i grupit paramilitar të Radoiçiçit.

“Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë, sepse sipas tij, shteti rus synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit irredentist të të ashtuquajturës “Botë Serbe”.

“Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës”.

Kurti alarmon për riorganizimin e grupit të Radoiçiçit: Serbia ka dislokuar sistemet kundërajrore në afërsi të kufirit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore