Kosova

Kurti: Serbia dëshiron ta lë të hapur opsionin e invazionit në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron për vizitë në Mbretëri të Bashkuar, mori pjesë në panelin e diskutimit të organizuar nga Instituti ‘’Chatham House’’, e ku foli para të pranishmëve për sa i përket rreziqeve dhe sfidave të sigurisë.

Kurti theksoi se “aleanca e fortë e Serbisë me Rusinë” nuk është vetëm rrezik teorik për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, por është rrezik real, me të cilin Kosova, por jo vetëm, përballet rregullisht, duke shtuar se “prezenca e Rusisë në Ballkan po rritet nëpërmjet Serbisë”, dhe se në këtë kontekst një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë.

“Mos nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes, kryeministri e cilësoi si shenjë të qartë të mungesës së mirëbesimit, i cili është i nevojshëm për të pasur siguri ligjore dhe zbatim të asaj për çka palët janë pajtuar. Për më tepër, kryeministri theksoi se refuzimi për të nënshkruar marrëveshjen nënkupton gjithashtu se Serbia dëshiron ta lë të hapur opsion e invazionit në Kosovë”, tha Kurti, ka njoftuar zyra për media e Qeverisë.

Ai ka potencuar se siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është baza mbi të cilën vendi mund të vazhdojë të rritet, teksa tha se Serbia, apo cilido aleat potencial i Rusisë, nuk mund ta mbajë rajonin larg BE-së sepse kjo do t’i shërbente vetëm Rusisë dhe përpjekjeve të saj për ta ndarë përsëri kontinentin.

“Nga BE-ja duhet një qasje e cila nxitë përafrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian mbi baza meritore, në vend se i gjithë rajoni të mbetet peng i një vendi të vetëm. Serbia me regjimin e saj autoritar po e mban të gjithë rajonin prapa”, potencoi ai.

Para të pranishmëve, ai foli “për progresin, arritjet dhe politikat e qeverisjes së deritanishme”, dhe rezultatin e tyre në rritjen e mirëqenies të qytetarëve dhe lehtësimin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë.

Sipas njoftimit për media, ai veçoi faktin që liberalizimi i vizave që hyri në fuqi me 1 janar të këtij viti ka rritur interesimin e serbëve të Kosovë për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës, si dhe konvertimin e suksesshëm në targa të Kosovës për vetura nga ato ilegale të Serbisë në mesin e pronarëve nga radhët e komunitetit serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore