Kosova

Kurti: S’do t’i befasojmë aleatët evropianë dhe amerikanë, por s’do të lejojmë që çështja e urës të zvarritet


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës të hënën, ka garantuar se “s’do t’i befasojë aleatët” rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër, por në të njëjtën kohë ka theksuar se as “s’do të lejojë” që kjo çështje të zvarritet pafundësisht: “Jemi trefish të vonuar për shumë vjet”.

“Ajo që duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallërat dhe kapitalin në të dy anët e lumit. Jemi duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet. Kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime dhe koordinime. Dhe jam optimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit e lirinë e lëvizjes, por edhe paqen, qetësinë dhe sigurinë”, ka thënë ai.

“Mirëpo, as nuk do t’i befasojmë miqtë e aleatët tanë evropianë dhe amerikanë, por as nuk do të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht – vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, dhe besojmë që është e drejtë, e dobishme dhe e nevojshme hapja e kësaj ure”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetatin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete. Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore