Kosova

Kurti: S’do ta kishim këtë situatë me arrestimet nëse do të kishte sanksione ndaj Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të kishte arrestime të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, nëse kësaj të fundit do t’i vendoseshin sanksione pas kidnapimit të tre policëve në qershor të vitit të kaluar brenda territorit kosovar, ose pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një konferencë për media me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të enjten pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ku i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë nga Serbia që t’i lirojë të gjithë qytetarët e arrestuar.

“Arrestimet që sot i bënë Serbia nuk do bëheshin nëse do të kishte sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar atë”, deklaroi kryeministri.

“Uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë, që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re, në të cilën do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik, Kosova është shteti i së drejtës, që Kosova respekton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia praktikisht është shtet mafioz, kur një person lanson fushatë përndjekëse ndaj të gjithë të tjerëve”, shtoi.

Ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë, e të cilët janë ndaluar dhe arrestuar atje, “të lirohen menjëherë, gjithashtu e në veçanti zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç”.

Ndryshe, gjatë ditës, Kurti, ka njoftuar se katër zyrtarë policorë të Kosovës, janë liruar ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, vazhdon të jetë në mbajtje nga autoritetet serbe.

“Tashmë katër zyrtarë policorë janë liruar, por zëvendësdrejtori i Policisë vazhdon të mbahet në burg”, tha Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore