Lajme

Kurti: Qeverinë e bëjmë vetë, me Serbinë do të çelim kapitull të ri


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Agjencinë Bullgare të Lajmeve BTA ka thënë se për ta formuar qeverinë “Kurti 2”, do të ketë vota të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, pa pasur nevojë për koalicione paszgjedhore.

“Ne veçse e kemi bërë koalicionin para zgjedhjeve, dhe ky koalicion parazgjedhor të cilin e kemi krijuar me listën e presidentes Vjosa Osmani, gjë që ka bërë që këto zgjedhje të parakohshme të shndërrohen në referendum të njerëzve, ku ne arritëm fitore me një lumë votash”, ka deklaruar ai.

“Si pasojë, ne nuk shohin asnjë parti tjetër nga “garda e vjetër” apo “Ancien Régime” siç parapëlqejmë t’i quajmë, si partnerë të ardhshëm të qeverisë sonë”.

Kurti është i bindur që do ta ketë shumicën për t’u rikthyer prapë në ulësen e kryeministrit të Kosovës.

“Si rrjedhojë, nëse me 50 për qind të votave, ne nuk kemi 61 deputetë të parlamentit për shkak të 20 vendeve të rezervuara për minoritetet, ne planifikojmë të marrim deputetë të parlamentit nga minoritetet joserbe”.

Ai pret që kabineti i tij qeveritar të votohet edhe nga deputetët e opozitës.

“Ndoshta disa anëtarë të parlamentit nga opozita të cilët thjeshtë do të donin të përfaqësonin njerëzit të cilët i kanë votuar, përkundër partive të cilave u përkasin”.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje e ka përsëritur qëndrimin e tij që dialogu me Serbinë nuk është ndër prioritetet që ka.

“Këto janë ditët që festojmë përvjetorin e 13-të të shpalljes së pavarësisë, dhe kemi vënë re se në çdo sondazh, në çdo pyetësor, opinion publik, lokal apo internacional, dialogu me Serbinë është prioriteti numër gjashtë ose shtatë.

“Ne do të bëjmë një koncesion dhe ta shndërrojmë në prioritetin numër katër pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë Covid-19”.

Për dialogun me Serbinë, Kurti tha se do të hapet një kapitull i ri “përmes një dialogu të sinqertë bazuar në dyanshmëri dhe barazi, ku të dyja palët do të shpalosim marrëveshjet paraprake të këtyre gjashtë viteve të dialogut në Bruksel ku Beogradi thotë se kemi 47 marrëveshje, ndërkohë që ne insistojmë që kemi vetëm 33 të tilla, disa prej të cilave do të implementohen pjesërisht, disa plotësisht, e disa nuk do të implementohen fare”.

Por, ish-kryeministri është i bindur që nuk do jetë e lehtë finalizimi i marrëveshjes me fqinjin verior.

Për këtë pret ndihmën e Brukselit dhe Uashingtonit.

“Unë besoj se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të bëhet në kurriz të normalizimit të këtyre njësive të veçanta, përkatësisht Serbi dhe Kosovë”, ka shtuar Kurti.

Në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, Kurti deklaroi se do të punojë me pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, për të ndryshuar mendim rreth mëvetësisë së Kosovës.

“Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një proces që po ecën shumë ngadalë. Kjo për arsye se nga njëra anë, ne akoma nuk kemi liberalizimin e vizave, megjithëse kemi plotësuar të gjitha kriteret. Kurse nga ana tjetër, kemi pesë vende mosnjohëse: Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron”.

Ai potencoi se këto shtete nuk duhet t’i “frikësohen” pavarësisë së Kosovës dhe njohëjes së saj.

“Nuk duhet ta krahasojnë veten e tyre me Serbinë e cila kreu gjenocid në pranverën e 1999-ës në Kosovë”, përfundoi Kurti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore