Kosova

Kurti: Qëndroj prapa atyre që kam thënë për Ujmanin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se qëndron prapa çdo deklarate për liqenin e Ujmanit dhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë do të ketë një kapitull të ri.

Ai ka thënë se duhet analizuar nga ekspertët kosovar deri në detaje raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan, për Ujmanin.

“Ne do të dakordohemi një herë për agjendën në mënyrë që ta hapim kapitullin e ri të dialogut. Ndërkaq sa i përket liqenit të Ujmanit ne qëndrojmë prapa të gjitha qëndrimeve tona që i kemi thënë deri më tani”.

“Ndërkaq raporti më i ri që ka dalë, para se të flasim ne, duhet ta lexojnë dhe studiojnë ekspertët tanë profesionistë”, ka thënë shkurt ai për gazetarët gjatë vizitës që ia bëri Muzeut Kombëtar të Kosovës të premten.

Pavarësia e Kosovës dhe hapësira territoriale e saj është nuk do të negociohet dhe se për këtë ka një mendim nga GJND-ja.

“Negociatat kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dialogu që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë kapitull të ri. E kemi pasur deri më tash një takim, sipas të gjitha gjasave do të kemi edhe një takim tjetër”, tha Kurti.

Për ndarjen dhe shfrytëzimin e përbashkët të liqenit të Ujmanit, Kurti ka thënë se nuk beson që duhet t’i bëjmë tre hapa përnjëherë.

“Ndonëse një gjë e tillë nuk është e mundur. Dialogu do të ketë kapitull të ri, duhet të dakordohemi për agjendën, tre hapa përnjëherë si bëjmë dot”, ka përfunduar Kurti.

Kurti edhe gjatë pasdites ka bërë të ditur se nuk ka arritur që të lexojë raportin e fizibilitetit, të nxjerrë nga Departamenti Amerikan për Energji. Veçse këtë shtoi se duhet ta bëjnë fillimisht ekspertët.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

Sipas Qeverisë së Kosovës, Liqeni i Ujmanit ka qenë pjesë e projektit në vitet e 70-ta dhe është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, kurse obligimet dhe marrëveshjet i kanë nënshkruar njësitë federale, në këtë rast Kosova.

Pa ujin e Liqenit të Ujmanit, Kosova do të mbetej pa rrymë brenda pak orësh. Uji i tij përdoret për ftohje dhe destinacione tjera në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Planet për rindërtimin e termocentralit tjetër të ri, të njohur si “Kosova e Re”, varen nga furnizimi me ujë nga ky liqen.

Me ujë nga ky liqen furnizohet edhe kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas. I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë.

Tre liqenet e tjerë janë: Liqeni i Batllavës në Komunën e Podujevës, i Badovcit afër Prishtinës dhe Liqeni i Radoniqit në Komunën e Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore