Kosova

Kurti pyetet për deklarimin e Aliut: S’e kam parë emisionin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e ka parë emisionin ku ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, deklaroi se “Kosova është projekt i përkohshëm”.

“Nuk po më duket e përshtatshme që unë të bëj komente të emisioneve televizive, të cilat nuk i kam parë”, tha fillimisht Kurti, kur u pyet nga gazetarët për deklaratën e Aliut në Televizion 7,  që ngjalli shumë reagime.

Megjithatë nga informacionet e marra nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, Kurti ka deklaruar se ka kuptuar që emisioni në fjalë ka qenë e natyrës festive për nder të 28 nëntorit.

“Zëdhënësi im Përparim Kryeziu, më tha që ai ka qenë një emision festiv në ditët e festës së flamurit dhe pavarësisë së 28 nëntorit. Sot këtu në Gjilan jemi për punë, të cilat po bëhen për qytetarët për të mirën e tyre dhe besoj që ky është përqendrimi sot”, ka shtuar ai.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një paraqitje televizive në Televizionin 7 ka artikuluar një deklaratë, e cila ka ngjallur reagime të shumte.

Sipas Aliut, Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

“Unë e shoh sot Kosovën më shumë si një projekt i përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen për ta krijuar kombin kosovar? Sipas Kushtetutës Kosova është e një vendi multi-etnik. Çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses”, ka thënë ai.

Meqë posti i ministrit përbën autoritet publik dhe deklarata e thëna nga ky pozicion reprezenton qëndrim të autoriteteve publike, atëherë deklarata e ministrit Librun Aliu se “Kosova është projekt i përkohshëm” dhe se ai është “ministër i një qeverie të një shteti të përkohshëm”, përveç se obligon shkarkimin e tij, mundëson edhe ndjekjen ligjore për thyerje të rendit kushtetuese të Kosovës.

Deklarata dhe shprehje të dëshirave për bashkim kombëtar të shqiptarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë në një shtet mund të paraqiten nga qytetarë, aktivistë politik e madje edhe të angazhuar politikë, por assesi nga një person i cili zyrtarisht mban pozitë shtetërore dhe betohet se do ta respektojë shtetin dhe Kushtetutën e shtetit, i kanë thënë Albanian Post-it njohës të të drejtës Kushtetuese të Kosovës.

Jo veç shkarkim, Liburn Aliu duhet të hetohet për thyerje të rendit kushtetues – thonë ekspertët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore