Kosova

Kurti provoi ta shiste si vizitë zyrtare e kryeministrit në SHBA, Hovenier tha ndryshe


Albin Kurti në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago, me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute), siç e konfirmoi ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Megjithatë, Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës, të hënën, gënjeu publikisht kur deklaroi se në këtë Konventë të Partisë Demokratike – ku pritet që Kamala Harris të nominohet si kandidate e Partisë Demokrate në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit – është i ftuar si kryeministër i Kosovës.

“Duhet theksuar se këtu jam ftuar si Kryeministër i një shteti demokratik dhe si kryetar i një subjekti politik socialdemokrat”, tha ai.

Një javë më parë, Hovenier, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, u përkujdes pikërisht të theksojë faktin se Kurti nuk po udhëton në SHBA-të me ftesë nga Qeveria amerikane.

“Kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, potencoi ai.

Raportet mes Qeverisë së Kosovës – e drejtuar nga Kurti – dhe SHBA-ve kanë pësuar plasaritje për shkak të veprimeve të njëanshëm dhe të paakordinuara të ekzekutivit në Veri të Kosovës.

Një gjë e tillë u konfirmua së fundmi nga Hovenier i cili vlerësoi se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria në disa aspekte.

“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”, tha ai për REL.

Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në Veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore